Bashkimi Europian duhet të marrë përgjegjësi për ngjarjet në Shqipëri dhe të kërkojë sqarime nga kryeministri Edi Rama lidhur me korrupsionin. Ky është thelbi i opinionit të profesorit të shkencave politike në Sciences Po, Christian Lequesne, i botuar në median franceze Le Figaro, ku ai analizon protesta që janë zhvilluar kundër qeverisë në Tiranë.
Në artikullin e titulluar “Përballë trazirave në Shqipëri, është koha që Bashkimi Europian të marrë përgjegjësitë e tij”, Lequesne nënvizon nevojën që Brukseli të jetë i drejtpërdrejtë me Ramën, duke i bërë të qartë se përparimi në procesin e zgjerimit të BE-së është i lidhur ngushtë me luftën kundër korrupsionit.
Lequesne argumenton se procesi i pranimit të Shqipërisë në BE duhet të shoqërohet me një mesazh pa ekuivok për qeverinë shqiptare, duke i kujtuar asaj detyrimet që vijnë me këtë fazë. Lufta kundër korrupsionit, sipas tij, duhet të jetë në thelb të qëndrimit që Bashkimi Europian mban ndaj zhvillimeve në vend.
Duke iu referuar ngjarjeve në kryeqytet, Lequesne thekson se që nga 13 tetori, Tirana është përballur me trazira të dhunshme në rrugë, të cilat kanë përfshirë djegien dhe shkatërrimin e objekteve publike dhe private.
Megjithatë, autori thekson se këto përshkallëzime kanë ardhur pas katër muajsh protesta të qeta. Sipas tij, lëvizja protestuese në Shqipëri lindi nga të rinj të qyteteve, shpesh të arsimuar, çka e dallon këtë fenomen në analizën e tij për origjinën e protestave.
Lequesne sjell edhe një paralelizëm me protestat në Francë duke vënë në dukje se situatat janë të ndryshme. Sipas tij, në Francë, protestat u nxitën fillimisht nga gjimnazistë të pakënaqur me kushtet në disa shkolla publike dhe në vijim u mbështetën nga studentët.
Sipas analizës së tij, në Francë e majta ekstreme përfitoi nga pakënaqësitë e të rinjve të periferive të qyteteve, ndërsa në Shqipëri, Lequesne thekson se protestat mbetën të karakterizuara nga paqja për një kohë të gjatë.
Përkundrejt kësaj situate në Tiranë, profesori thekson se Bashkimi Europian duhet të mbajë një qëndrim të prerë ndaj Ramës, duke i kushtëzuar hapat drejt integrimit në BE me progres në uljen e korrupsionit.

