France 24 i ka kushtuar një artikull protestës së 12-të studentore të zhvilluar në Tiranë, duke vënë theksin te rritja e tensioneve me qeverinë, konfrontimet me forcat e rendit dhe pakënaqësia në rritje mes qytetarëve për korrupsionin dhe vështirësitë ekonomike në Shqipëri.
Raporti thekson se protestuesit kanë mbajtur një qëndrim të pavarur nga partitë politike, ndërsa në pankartat e tyre janë drejtuar kritika si ndaj kryeministrit Edi Rama, ashtu edhe ndaj udhëheqësit të opozitës, Sali Berisha.
Gjatë tubimit të së shtunës, sërish u shënuan përplasje mes protestuesve dhe policisë. Sipas të dhënave të France 24, policia u kundërpërgjigj duke përdorur topa uji, gaz lotsjellës dhe plumba gome, ndërsa disa protestues reaguan duke hedhur gurë e fishekzjarrë ndaj efektivëve të rendit.
Artikulli thekson se u synuan disa godina qeveritare, dhe dhjetëra persona u arrestuan. Autoritetet, të cituara nga media, raportojnë se numri i të plagosurve është mbi 300, përfshirë jo vetëm protestues, por edhe efektivë policie.
“Ka shumë zemërim”, është shprehur aktivistja Sidorela Vatnikaj, e cila e ka përshkruar këtë lëvizje si një “revolucion”. Sipas saj, protestat nuk janë të kufizuara vetëm te studentët apo tek kauzat mjedisore, por përfshijnë edhe çështje të rëndësishme lidhur me të drejtat dhe sundimin e ligjit.
AFP raporton se mijëra qytetarë iu bashkuan protestës së fundit të zhvilluar të shtunën. Tubimit i kanë dhënë mbështetjen e tyre edhe përfaqësues të pedagogëve universitarë, artistëve dhe partive opozitare.
Solidariteti i biznesit me protestuesit është një tjetër element i përmendur. Përpara nisjes së tubimit, shumë dyqane zgjodhën të mbyllin dyert, ndërkohë që disa vendosën në vitrina edhe mesazhe mbështetëse, të tilla si “Mos prekni. Jemi me ju”.
Protesta nisi në sheshin përpara Ministrisë së Arsimit, një nga pikat qendrore të tubimeve. Një grup demonstruesish hodhën gurë drejt godinës, ndërsa sipas një gazetari të AFP-së, edhe ditët e kaluara disa dritare ishin dëmtuar. Policia ndërhyri duke përdorur ujë me presion, gaz lotsjellës dhe plumba gome.
Në artikull trajtohen edhe shqetësimet që kanë të rinjtë për të ardhmen në vend. Rosela Mira, studente e vitit të parë të Mjekësisë, i tha AFP-së se dëshiron të qëndrojë në Shqipëri dhe të ketë mundësi për një të ardhme më të mirë.
“Jemi këtu për një arsye: duam të qëndrojmë në vendin tonë dhe të mos na duhet të ëndërrojmë për një jetë diku tjetër”, deklaroi ajo.
Motra e saj, nxënëse e shkollës së mesme, shprehu shqetësime rreth kushteve të mësimit, duke evidentuar klasat e mbipopulluara me rreth 40 nxënës dhe mungesën e laboratorëve e ambienteve të nevojshme.
Edhe sfidat ekonomike janë ngritur gjerësisht gjatë protestave. Fabiola Nikaj, studente e vitit të tretë në Fakultetin e Drejtësisë, shpjegon se të rinjtë janë të detyruar të punojnë në disa vende pune për të përkrahur familjet, për shkak të pensioneve të ulëta.
Në pankartat që mbanin mësuesit dhe pedagogët dallohej mesazhe të qarta si “Jo dhunë”, “Transparencë” dhe “Demokracia në rrezik”.
France 24 sjell në vëmendje edhe fenomenin e emigracionit, duke theksuar se mbi 1.5 milionë shqiptarë kanë emigruar që pas rënies së komunizmit në vitet 1990, në një vend që sot ka rreth 2.3 milionë banorë.
Raporti përmend gjithashtu që Shqipëria është në vendin e 91-të nga 182 shtete në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International.
Media franceze paraqet protestën studentore si shprehje të një pakënaqësie të gjerë në shoqëri, ku kërkesat për transparencë, drejtësi, përmirësim të kushteve të jetesës dhe mundësi më të mira për të ardhmen përplasen me pakënaqësinë ndaj klasës politike.

