Elisa Spiropali përballet me kallëzime për një sërë veprash të rënda penale, që vënë në pikëpyetje deklarimin e pasurisë dhe burimet e të ardhurave të saj. SPAK ka regjistruar një procedim penal pas kallëzimeve ndaj deputetes socialiste, ku përfshihen dyshime për deklarim të rremë, fshehje pasurie, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe korrupsion.
Procedimi është regjistruar në fund të tetorit dhe, sipas burimeve, hetuesit kanë nisur verifikimin e pretendimeve. Në fokus janë dokumente që lidhen me deklarimet e pasurisë, aktivitetet tregtare, ndryshimet e pronësisë, transaksionet financiare dhe pasuritë e luajtshme e të paluajtshme.
Por pikëpyetjet nuk ndalen vetem te ajo. Në verifikime pritet të përfshihen të paktën pesë persona të tjerë, mes tyre edhe bashkëshorti i saj, Salarjon Totaj.
Ky i fundit është përmendur edhe në një episod me administratën tatimore. Drejtori i Tatimeve, Ilir Binaj, deklaroi se Totaj kishte kundërshtuar punonjësit tatimorë dhe se shkeljet e dyshuara ishin referuar në organet përkatëse.
Pra, ndërsa deputetja socialiste vijon aktivitetin e saj politik, në SPAK kanë mbërritur dokumente dhe pretendime që kërkojnë përgjigje për pasurinë dhe aktivitetet financiare të saj dhe personave të afërt.
Në këtë klimë, edhe Elisa Spiropali, pjesë e kupolës socialiste dhe e së njëjtës mazhorancë ku bën pjesë Benet Beci, duhet të japë përgjigje për pikëpyetjet e ngritura nga kallëzimet që kanë mbërritur në SPAK.”
