Shkodra do të mirëpresë mbrëmjen e sotme një aktivitet të veçantë artistik, ku muzika klasike dhe poezia do të bashkohen në një interpretim unik të veprës së njohur “Katër Stinët” nga Antonio Vivaldi.
Koncerti do të zhvillohet në Qendrën Rinore ARKA, duke nisur në orën 21:00. Ansambli i Harqeve “Harmonia Albanica” do të sjellë për publikun interpretimin e kësaj kryevepre, ndërsa gjatë mbrëmjes do të lexohen edhe sonetet që frymëzuan kompozitorin në krijimin e saj.
Nën drejtimin artistik të Dritan Mlikës dhe dirigjimin e Kristi Ndojës, në skenë do të ngjiten si solistë violinistët Esmeralda Kyçyku, Elena Lamnica, Dea Niçaj dhe Lorenc Radovani.
Organizatorët ftojnë qytetarët dhe të gjithë adhuruesit e muzikës klasike të marrin pjesë në këtë koncert, i cili premton një mbrëmje të mbushur me art dhe emocione.
Aktiviteti mbahet sonte, më 28 korrik, në orën 21:00, në Qendrën Rinore ARKA në Shkodër, ndërsa hyrja është falas.

