Kalaja e Shkodrës po kalon një fazë të re ndërhyrjesh për përmirësimin e infrastrukturës dhe ruajtjen e vlerave historike të saj. Punimet janë pjesë e projektit për rivitalizimin e potencialit turistik dhe kulturor të Parkut Arkeologjik të Shkodrës.
Një nga ndërhyrjet kryesore është ndërtimi i një hapësire të re parkimi në pjesën e poshtme të kalasë, duke synuar përmirësimin e kushteve për vizitorët dhe lehtësimin e problematikës së parkimit.
Paralelisht, po punohet për rikualifikimin e shtegut historik që lidh pjesën e poshtme me kalanë, ndërsa ndërhyrje restauruese po kryhen edhe në fasadën e muzeut të kështjellës.
Punimet po zhvillohen ndërkohë që monumenti vijon të presë vizitorë, me synimin që ndërhyrjet të ndikojnë sa më pak në procesin e vizitueshmërisë.
Investimi, me një fond prej mbi 1 milion eurosh dhe financim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, synon të përmirësojë infrastrukturën pritëse dhe njëkohësisht të nxjerrë më në pah vlerat historike e arkitekturore të Kalasë së Shkodrës.
Parku Arkeologjik i Shkodrës mbetet një nga destinacionet më të vizituara turistike në veri të vendit.
Vetëm gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, Kalaja e Shkodrës është vizituar nga më shumë se 160 mijë turistë vendas dhe të huaj.


