Tetë vjet pas shembjes së Urës Morandi në Xhenova, një prej tragjedive më të rënda në Itali, Gjykata e Xhenovas ka shpallur vendimin e shkallës së parë për personat e akuzuar për katastrofën që mori jetën e 43 njerëzve.
Trupi gjykues ka dënuar 32 persona, mes tyre drejtues të kompanive përgjegjëse për mirëmbajtjen e autostradave dhe funksionarë të Ministrisë italiane të Transporteve. Nga 57 të pandehur, 25 janë shpallur të pafajshëm, ndërsa dënimet e dhëna arrijnë në afro 180 vite burg në total.
Në mesin e viktimave të 14 gushtit 2018 ishin edhe dy shtetas shqiptarë. Njëri prej tyre ishte Admir Bokrina, 32-vjeçari nga Shkodra, i cili po shkonte drejt vendit të punës kur ura u shemb papritur.
Sipas hetimeve, katastrofa erdhi si pasojë e neglizhencës, mungesës së kontrolleve dhe mosmarrjes së masave në kohën e duhur për mirëmbajtjen e urës. Prokuroria italiane ka theksuar se tragjedia mund të ishte shmangur nëse do të ishin respektuar detyrimet ligjore për sigurinë e infrastrukturës.
Vendimi është pritur me emocione të forta nga familjarët e viktimave, të cilët prej tetë vitesh kanë kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

