Vllaznia kërkon të reagojë në kampionat dhe të rikthehet te rezultatet pozitive, teksa këtë të diel do të përballet me Laçin në transfertë. Një sfidë që pritet të jetë e vështirë për shkodranët, të cilët kërkojnë tre pikët për të ndryshuar ecurinë e javëve të para.
Në prag të kësaj përballjeje, mbrojtësi Erdenis Gurishta ka vlerësuar ekipin kurbinas, pavarësisht rikthimit të Laçit këtë sezon në Abissnet Superiore. Sipas shkodranëve, transferta kërkon përqendrim maksimal dhe një tjetër qasje në fushën e lojës.
Në kampin kuqeblu vijon të jetë e pranishme edhe historia e sezonit të kaluar. Gurishta është ndalur sërish te humbja e titullit dhe episodet e arbitrimit gjatë fazës “Final 4”, çështje që ende mbeten të debatueshme në Shkodër.
Tashmë vëmendja është te sfida e radhës. Vllaznia do të kërkojë të largohet me pikë nga Laçi dhe të nisë një kapitull të ri në këtë sezon.
Laçi–Vllaznia do të luhet të dielën në orën 16:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTSH.

