13 vite në pushtet dhe propaganda nuk ndalet, por realiteti në spitalet tona flet shumë më zëshëm se çdo mashtrim bajat.
Sot shqiptarët përballen me një sistem shëndetësor të rrënuar nga korrupsioni dhe babëzia. Spitale pa barna bazë, aparatura që nuk punojnë kur qytetari ka nevojë urgjente, lista të pafundme pritjeje dhe familje që detyrohen të shesin pasurinë për të blerë ilaçet e kimioterapisë apo për t’u kuruar jashtë vendit. “Shëndetësia falas” vdiq para se të lindte, e gëlltitur nga koncesionet dhe tenderat abuzivë të këtij regjimi.
Por çfarë ofron kryeministri pas më shumë se një dekade dështimesh? Premton një “spital të nivelit të lartë” në Zvërnec! Por harron të thotë të vërtetën. Nuk bëhet fjalë për spital për popullin, por për një klinikë private luksi brenda një resorti privat, të ndërtuar mbi tokën që po ua fal investitorve nga parajsa fiskale.
Të lësh spitalet publike të vendit në mizerje, ku qytetari i thjeshtë vuan për fasho e shiringa, dhe të shesësh si sukses investimet private në tokat e falura të bregdetit, kjo është kulmi i cinizmit dhe talljes me një popull të tërë. Mashtimet bajate të kryehajdutit nuk ecin më. Shqiptarët e shohin realitetin çdo ditë në dyert e spitaleve tuaja të braktisura!

