Ish-kandidati i PS në Shkodër kundër reformës territoriale për shkrirjen e Fushë Arrëzit: E padrejtë

Publikuar me datë:

Edhe ish-kandidati për deputet i Partisë Socialiste në Shkodër, Paulin Luli, është shprehur kundër projektit të reformës territoriale që parashikon shkrirjen e Bashkisë Fushë-Arrëz dhe bashkimin e saj me Bashkinë Pukë.

Përmes një reagimi publik, Luli e cilëson Fushë-Arrëzin “histori, pasuri dhe identitet”, ndërsa kritikon mënyrën se si është hartuar reforma, duke theksuar se qytetarët nuk janë dëgjuar realisht dhe se një referendum lokal do të ishte forma më demokratike për të vendosur mbi të ardhmen e bashkisë.

Statusi i plotë:

Fushë-Arrëzi nuk është thjesht një pikë në hartë – është histori, pasuri dhe identitet.

Si një person i lindur dhe i rritur në atë zonë, jam kundër reformës territoriale që parashikon shkrirjen e bashkive dhe, në veçanti, kundër fshirjes nga harta administrative të Bashkisë Fushë-Arrëz.

Reforma territoriale nuk mund të ndërmerret vetëm nga lart, pa një studim të thelluar dhe pa dëgjuar realisht zërin e qytetarëve. Dëgjesat publike, sipas vlerësimit tim, kanë qenë thjesht formale dhe nuk kanë garantuar një përfshirje të vërtetë të banorëve në vendimmarrje.

Mungon vendimmarrja e drejtpërdrejtë e banorëve. Një referendum lokal do të ishte mënyra më demokratike për të përcaktuar qartë vullnetin e qytetarëve të Bashkisë Fushë-Arrëz, një praktikë që njihet dhe zbatohet në shumë vende evropiane. Aty ku ne aderojmë të shkojmë dhe KM Edi Rama vazhdon t’na mashtroj.

Sipas mendimit tim, kjo reformë ka një karakter politiko-elektoral dhe favorizon përqendrimin e pushtetit në duart e qeverisë qendrore, në duart e Kryeministrit të radhës.

Si pasojë, dobësohet pushteti vendor, kufizohen kompetencat e vetëqeverisjes lokale dhe zvogëlohet mundësia që komunitetet të marrin vendime për çështjet që i prekin drejtpërdrejt.

Pasojat do të ndihen veçanërisht nga banorët e Njësive Administrative Fierzë, Iballë, Blerim dhe Qafë-Mali, të cilët ndodhen deri në 60 kilometra larg qendrës së Bashkisë Fushë-Arrëz. Edhe më e vështirë është situata për banorët e fshatrave si Berishë, Zvinë, Aprripë dhe të tjerë, ku mungojnë rrugët e asfaltuara. Kjo do të thotë më shumë kohë, më shumë shpenzime dhe vështirësi të shtuara për qytetarët që kanë nevojë për shërbime publike, duke rënduar edhe më tej jetën ekonomike dhe sociale të këtyre zonave.

Për këtë arsye, besoj se banorët e Bashkisë Fushë-Arrëz duhet të bashkohen dhe të kundërshtojnë, përmes protestës, këto vendime që i konsiderojnë të padrejta.

Në këto ditë kur mblidhemi për festën e përvitshme të Gushtit bashkë me diasporën, është gjithashtu një moment për të ngritur zërin dhe për të mbrojtur interesin e komunitetit tonë.

Fushë-Arrëzi i ka dhënë Shqipërisë një pasuri të jashtëzakonshme minerare dhe burimet e tij natyrore kanë kontribuar për dekada në zhvillimin ekonomik të vendit. Është e papranueshme që një zonë që ka dhënë kaq shumë për ekonominë kombëtare të trajtohet sot sikur të mos ketë vlerë.

Ata që e shohin këtë trevë vetëm si një burim për t’u shfrytëzuar dhe jo si një komunitet me histori, identitet dhe të drejta, nuk duhet të marrin vendime për shkrirjen e Bashkisë Fushë-Arrëz pa dëgjuar zërin e banorëve.

Banorët meritojnë të pyeten dhe të vendosin vetë për të ardhmen e tyre. Vendlindja nuk është një numër në një reformë administrative, ajo është amanet.

Mos hezitoni të protestojmë për të drejtën tonë, për dinjitetin tonë, për krenarinë tonë, për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe për trashëgiminë që do t’u lëmë brezave që vijnë.

Mos hesht! Mbro të drejtën tënde, dinjitetin tënd dhe të ardhmen tënde.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related