Himarë/ Rrezikuan jetën në det, Policia Kufitare shpëton 9 turistë të huaj

Në dy operacione të veçanta kërkim-shpëtimi, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë evakuar nëntë turistë të huaj gjatë ditës së sotme në Himarë dhe Ksamil.

Incidenti i parë u raportua në Himarë, ku një turist nga Spanja po përballonte vështirësi në det, në afërsi të Filikurit, pasi kajaku i tij u fundos. Pas njoftimit të bërë nga e fejuara e tij, shërbimet e Policisë Kufitare organizuan menjëherë një operacion shpëtimi, që rezultoi në lokalizimin e tij, nxjerrjen nga uji dhe transportimin në siguri pranë Pikës së Kontrollit Kufitar në Himarë.

Në Ksamil, rreth orës 12:45, Policia Kufitare u angazhua për të ndihmuar tetë turistë brazilianë, të gjithë pjesëtarë të së njëjtës familje, pasi skafi i tyre plastik rrezikonte të fundosej në zonën pas “Tre Ishujt”.

Duke përdorur një gomone dhe një jet ski, ekipi i shpëtimit arriti të evakuojë të gjithë turistët pa ndonjë incident, ndërsa mjeti lundrues u rimorkua në siguri drejt plazhit “Puerto Rico” në Ksamil.

Si rezultat i këtyre operacioneve, u arrit një sukses i plotë, pa ndodhur asnjë dëm për jetën ose shëndetin e turistëve, të cilët shprehën mirënjohjen e tyre për profesionalizmin dhe reagimin e shpejtë të Policisë Kufitare.

Policia Kufitare bën thirrje për respektimin e rregullave të lundrimit, përdorimin e pajisjeve mbrojtëse dhe shmangien e lundrimit në zona të rrezikshme, për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe