Një incident tragjik u regjistrua të dielën në një autostradë në shtetin e Jaliscos në Meksikë, ku pasojat përfshinë humbjen e jetës së së paktën 10 individëve dhe plagosjen e 10 të tjerëve.
Siç raportojnë mediat internacionale, aksidenti ndodhi për shkak të një kamioni me rimorkio, që sipas autoriteteve meksikane, kishte një problem në sistemin e frenave. Kamioni nuk arriti të ngadalësohej dhe përfundoi duke u përplasur me automjetet e palëvizshme si rezultat i një aksidenti paraprak. Shoferi i kamionit, i cili shkaktoi këtë tragjedi, është arrestuar nga Garda Kombëtare.
Ministria e Sigurisë dhe Mbrojtjes Civile të Nayarit njoftoi se aksidenti i parë përfshinte dy kamionë me rimorkio. Ndërsa ekipet e emergjencës ishin në vendngjarje për të intervenuar, një kamion i tretë me rimorkio goditi automjetet e palëvizshme.
“Nga kjo përplasje e dytë, tre automjete private dhe dy kamionë me rimorkio u shkatërruan plotësisht nga flakët. Gjithashtu, dy makinat e tjera private si dhe një Dodge Charger i Gardës Kombëtare pësuan dëme të konsiderueshme.” theksuan autoritetet përkatëse.
Aksidenti shkaktoi një zjarr në autostradë dhe në veturat e përfshira, por zjarrfikësit arritën ta kontrollonin situatën pas pak kohe. Sipas një njoftimi nga Mbrojtja Civile, mes viktimave janë dy të mitur, ndërsa dy anëtarë të Gardës Kombëtare ndodhen në spital në gjendje kritike.

