Milos Duriçkoviç, 56 vjeç, i njohur si anëtar i klanit kriminal “Skaljari”, u qëllua për vdekje me armë zjarri të shtunën në qytetin e Cetinjës, Mal i Zi. Sipas burimeve të “Vijesti”, një media malazeze, trupi i pajetë i tij u gjet në zonën e Bajices, brenda komunës së Cetinjës.
Drejtoria e Policisë së Malit të Zi njoftoi se Komisariati i Cetinjës u alarmua në orët e para të mëngjesit nga një qytetar që kishte vërejtur praninë e një kufome. Sipas policisë, deri në atë moment nuk ishte raportuar asnjë incident që lidhej me përdorimin e armëve të zjarrit në atë rajon.
Kur oficerët mbërritën në vendngjarje, ata konfirmuan se 56-vjeçari M.Đ. kishte humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë. Menjëherë, autoritetet rrethuan perimetrin ku u gjet trupi, si dhe zgjeruan zonën e sigurisë dhe disa segmente rrugore përreth, ndërsa kanë nisur kërkimin për autorin e krimit.
Policia bëri të ditur se po bashkëpunon me prokurorët e Prokurorisë së Lartë të Shtetit në Podgoricë për të identifikuar dhe arrestuar autorin dhe për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
“Të gjitha kapacitetet e disponueshme të Policisë janë angazhuar për zbardhjen e kësaj vepre penale”, thuhet në njoftimin e autoriteteve malazeze.
“Vijesti” raporton se Duriçkoviç ishte pjesë e klanit “Skaljari”, një grup i shquar i krimit të organizuar në Mal të Zi që prej vitesh është në konflikt të hapur me klanin rival “Kavač”.
Ende nuk janë bërë publike të dhëna të tjera nga policia malazeze lidhur me identitetin e autorit apo motivacionin e mundshëm të vrasjes.

