Gjatë ditëve të fundit, qindra emigrantë kanë arritur në enklavën spanjolle të Ceutës në Afrikën e Veriut, duke kaluar kufirin maroken me not ose me mjete të vogla lundrimi. Sipas mediave spanjolle, pamjet tregojnë emigrantë që notojnë pranë kufirit dhe, sapo dalin në breg, nisen me vrap drejt qytetit.
Prej vitesh, lëvizjet migratore nga Maroku drejt dy territoreve spanjolle, Ceuta dhe Melilla, janë kthyer në një pikë të nxehtë politike mes Madridit dhe Rabatit. Këto enklava përfaqësojnë të vetmin kufi tokësor që Bashkimi Evropian ka me Afrikën.
Juan Jesus Vivas, presidenti i Ceutës, e përshkroi situatën në territor si një “situatë emergjence të plotë humanitare dhe sociale”. Ai bëri të ditur se vetëm gjatë ditëve të fundit kanë mbërritur mbi 1.500 emigrantë, si të rritur ashtu edhe të mitur.

