Yehuda Aharon Vidafsky, i njohur si personi më jetëgjatë nga të mbijetuarit e Holokaustit në Izrael, ndërroi jetë në moshën 107-vjeçare, njoftuan të hënën mediat izraelite dhe Memoriali dhe Muzeu Auschwitz-Birkenau.
I lindur në Poloni në vitin 1919, Vidafsky u nda nga jeta të dielën, siç konfirmuan Memoriali Auschwitz-Birkenau dhe burimet izraelite.
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, u shpreh me fjalë ngushëllimi për “familjen e mrekullueshme” të Vidafsky-t.
Vidafsky arriti të mbijetojë në kampin famëkeq të përqendrimit Auschwitz, ndërkohë që shumica e familjes së tij humbi jetën gjatë okupimit nazist. Në vitin 1950, ai emigroi drejt Izraelit.
Punën e tij të rëndësishme e nisi në vitin 1978, kur iu përkushtua restaurimit të varrezave hebraike në Poloni. Sipas një deklarate të Memorialit dhe Muzeut Auschwitz-Birkenau, ai kontribuoi gjithashtu në identifikimin dhe shënimin e mbi 3,000 varreve.
Presidenti izraelit, në një postim në X, theksoi se jeta e Widawskit ishte “një dëshmi e admirueshme për triumfin e jetës, kujtesës dhe një fillimi të ri”.
Gjatë Holokaustit, nazistët vranë rreth 6 milionë hebrenj në Evropë.
Sipas një raporti të publikuar nga agjencia qeveritare në prill, në Izrael jetonin ende rreth 109,000 të mbijetuar të Holokaustit.

