Një reagim i fortë vjen nga avokati shkodran Dodë Mehmetaj, i cili ka kritikuar ashpër sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke vënë në pikëpyetje raportin mes pagave të gjyqtarëve dhe mënyrës se si trajtohen çështjet në gjykata.
Mehmetaj shprehet se, sipas tij, një pjesë e gjyqtarëve nuk justifikojnë pagat që marrin, ndërsa problem kryesor mbetet zvarritja e proceseve gjyqësore.
“Unë mendoj se gjyqtarët në Shqipëri nuk meritojnë as gjysmën e pagës që marrin, sepse përveçse shumica e tyre janë totalisht të paaftë profesionalisht, ata po i zvarrisin pa shkak e banalisht çështjet në gjykim”, shkruan avokati.
Për të ilustruar kritikën e tij, Mehmetaj përmend raste që, sipas tij, kanë mbetur në dyert e gjykatave për shumë vite, madje edhe për afro dy dekada, pa marrë ende një përfundim.
Në reagimin e tij ai sjell edhe rastin e familjarëve të viktimave të tragjedisë së 9 Janarit 2004. Mbytja e anijes në detin Jon u mori jetën 28 shqiptarëve, ndërsa beteja ligjore e familjarëve për zbardhjen e përgjegjësive ka vijuar prej vitesh.
Deklarata e avokatit rikthen në diskutim një nga problematikat më të debatueshme të sistemit të drejtësisë: kohëzgjatjen e proceseve dhe pasojat që sjell zvarritja e tyre për qytetarët.
Mehmetaj e mbyll reagimin e tij duke ua lënë qytetarëve gjykimin për këtë situatë: “Ju çfarë mendimi keni?”

