Banorët e Selenicës mobilizohen kundër reformës territoriale

Publikuar me datë:

Debatet mbi reformën e re territoriale u rikthyen këtë të shtunë në Bashkinë e Selenicës, ku banorë, drejtues vendorë, përfaqësues të fshatrave, intelektualë dhe qytetarë u mblodhën në sheshin qendror të qytetit. Të pranishmit zhvilluan Kuvendin e Selenicës për të shqyrtuar të ardhmen institucionale të kësaj bashkie.

Diskutimet u përqendruan në argumentet pro dhe kundër reformës territoriale, e cila propozon shkrirjen e Selenicës dhe integrimin e saj në Bashkinë e Vlorës. Pjesëmarrësit analizuan gjithashtu veprimet që do të ndërmarrin për të kundërshtuar këtë projekt dhe për të mbrojtur statusin e Selenicës si bashki e pavarur.

Ilia Bombaj, një prej organizatorëve të kuvendit, sqaroi motivet e organizimit të takimit. Ai ndau arsyet kryesore pse, sipas tij, Selenica duhet të ruajë pavarësinë, duke u ndalur tek rëndësia historike, territori i gjerë, numri i fshatrave dhe nevoja që shërbimet bazë të jenë të afërta për qytetarët. Bombaj iu referua edhe qëndrimeve të deputetit Ardit Bido, i cili mbështet bashkimin e Selenicës me Vlorën.

Përparim Shametaj, ish-kryetari i kësaj bashkie, shprehu kundërshtinë ndaj reformës territoriale. Ai argumentoi se shkrirja e Selenicës do të ndikojë negativisht në zhvillimin e zonës dhe në interesat e banorëve, duke kërkuar që zëri i komunitetit të dëgjohet përpara se të merret ndonjë vendim final.

Banorë dhe të tjerë intelektualë të pranishëm në takim i kërkuan autoriteteve të tërhiqen nga plani i bashkimit të Selenicës me Vlorën. Në opinionin e tyre, një ndryshim i tillë do t’i detyronte qytetarët të udhëtonin drejt Vlorës edhe për nevojat më të thjeshta administrative, çka do të krijonte vështirësi të shumta, veçanërisht për banorët e fshatrave periferike.

Mbledhja e Kuvendit të Selenicës u mbyll me deklaratën e pjesëmarrësve se do të vijojnë angazhimin institucional dhe qytetar për të refuzuar reformën territoriale. Ata ritheksuan synimin për të ruajtur Bashkinë e Selenicës si një njësi të pavarur të qeverisjes vendore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related