Prokuroria e Durrësit ka shpallur moskompetencën dhe ka kaluar tek Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dosjen për vjedhjen e afërsisht 700 mijë eurove nga filiali i Postës Shqiptare në Durrës.
Hetimi ka nxjerrë dyshime se pas këtij incidenti mund të fshihet një grup i organizuar kriminal. Sipas të dhënave të mbledhura nga prokurorët, në skemën e grabitjes dyshohet të jenë të përfshirë edhe ish-zyrtarë të cilët aktualisht kanë imunitet parlamentar.
Lidhur me këtë rast, autoritetet kishin arrestuar më parë ish-drejtoreshën e filialit, Elisabeta Mataj, ish-shefen e financës, Valbona Duni, si dhe arkëtaren Paola Dana.
Dosja është dërguar tashmë në SPAK për hetime të mëtejshme, bazuar në dyshimet për përfshirjen e një grupi të strukturuar kriminal dhe të individëve që mund të mbrohen nga imuniteti parlamentar.
Ndërkohë, për të dyshuarat në këtë çështje, masat e sigurisë që u ishin caktuar janë lehtësuar më vonë.
