Elseid Hysaj është rikthyer në stërvitje me Vllazninë, menjëherë pas angazhimeve të tij me Kombëtaren shqiptare. Mbrojtësi i djathtë dha një kontribut të rëndësishëm me fanellën kuqezi në nëntor, duke shënuar dhe dhënë një asist.
Gjatë këtij sezoni të Ligës së Kombeve, Hysaj ka qenë një nga liderët e padiskutueshëm. Megjithëse ka mbetur pa skuadër që nga përfundimi i sezonit të kaluar, paraqitjet e tij që nga shtatori e kanë bërë të vlerësohet për një vend në ekipin kombëtar.
Shkodrani është ende në pritje të një oferte të përshtatshme, pasi ka refuzuar më parë propozime si nga klubet ruse ashtu edhe nga ato italiane.
Kjo periudhë përfaqëson një nga fazat më të vështira në karrierën e tij, por Kombëtarja ka qenë mbështetja kryesore për të. Hysaj ka mundësinë të nënshkruajë me ndonjë ekip në çdo moment, ndërsa Vllaznia i ka hapur dyert për ta ndihmuar të ruajë formën e duhur fizike dhe sportive.

