Sëmundjet kardiovaskulare dhe infarktet po prekin gjithnjë e më shumë moshat e reja, duke u kthyer në një fenomen të zakonshëm. Sipas kardiologëve, një tjetër arsye për t’u shqetësuar është trendi në rritje i këtyre rasteve.
Krahas trashëgimisë, që konsiderohet faktori kryesor, mjekët vënë në dukje se faktorët e tjerë kanë gjithashtu ndikim të madh në shfaqjen e sëmundjeve të zemrës.
Shpesh, të rinjtë nënvlerësojnë shenjat e para paralajmëruese të një infarkti, duke menduar se mosha i mbron ndaj problemeve të tilla.
“10–15% e infarkteve të zemrës në vendin tonë ndodhin tek moshat e reja. Ndër faktorët kryesorë mbetet stili i jetesës”, thonë mjekët kardiologë
Shqetësimi për rritjen e sëmundjeve të zemrës tek të rinjtë është i pranishëm në mbarë botën. Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se jeta sedentare është një ndër faktorët e lidhur me shtimin e rasteve, duke këshilluar përfshirjen e aktivitetit fizik në rutinën e përditshme.
Për të përmirësuar shëndetin kardiovaskular, rekomandohet që aktivitetet si ngjitja e shkallëve dhe një ecje e shpejtë prej 30 minutash çdo ditë të bëhen pjesë e zakonshme e jetës së përditshme.

