Prej 4 ditësh dhjetra forca policie të drejtorisë vendore të Shkodrës po zhvillojnë aksione intensive në zonën malore të Dukagjinit për goditjen e parcaleva të kultivimit të bimëve narkotike.
Forcat e policisë gjatë këtyre katër ditëve kanë zhvilluar këto operacione kundër lëndëve narkotike pa ndërprerje duke u fokusuar në goditjen e parcelave të kanabisit.
Sipas burimeve efektivët e Shkodrës kanë goditur disa parcela të mbjella që ishin ende të kultivuara dhe në prag të korrjes së tyre.
Ndërsa disa qindra bimë të mbjella janë sekuestruar dhe asgjesuar me anë të djegies, deri tani nuk raportohet për persona të arrestuar nga uniformat blu të Shkodrës.
Në zonat e thella malore të Dukagjinit shpesh herë arrestimi i autorëve të kultivimit të bimëve narkotike nuk realizohet për shkak të terrenit të thyer dhe vështirësisë që kanë forcat e policisë për finalizimin e këtyre operacioneve sa i përket prangosjes së kultivuesve.
Forcat e policisë kanë intensifikuar këto aksione në Dukagjin për shkak se tani është koha e korrjes së bimëve narkotike por edhe koha e trafikimit të lëndëve narkotike drejt Shkodrës me destinacion shtetet e Europës.
Dukagjini por edhe qarku Shkodër në përgjithësi vazhdon që të jetë një njollë e zezë sa i përket kultivimit të bimëve narkotike për shkak të kushteteve të përshtatshme natyrore.
Pavarësisht punës së policisë për ta nxjerrë nga kjo hartë qarkun Shkodër, sërish kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike mbetet një shqetësim i madh.

