Një 71-vjeçar nga Çikago, i cili kishte kaluar më shumë se katër dekada në pritje të ekzekutimit në SHBA, është liruar me kusht në Utah, pasi ekspertizat e fundit të ADN-së nuk e ndërlidhin më me vrasjen për të cilën ishte dënuar. Douglas Stewart Carter ishte dënuar në vitin 1985 për vrasjen e Eva Olesen, njëkohësisht tezja e një shefi policie të asaj kohe.
Trupi i Olesen u gjet në banesën e saj në Provo, Utah. Ajo kishte pësuar plagë të shumta nga goditjet me thikë dhe ishte vrarë me armë zjarri në kokë. Policia kishte shprehur dyshime mbi Carterin dhe ai u arrestua në Tenesi pak kohë më vonë.
Edhe pse atëkohë mungonin provat fizike që e implikonin drejtpërdrejt në krim, dënimi me vdekje ndaj Carter u mbështet kryesisht në rrëfimin e tij dhe dëshmitë e dy personave të tjerë. Më vonë, dëshmitarët pohuan se dëshmitë e tyre ishin nxjerrë nën presion. “Policia i kishte kërcënuar, u kishte dhënë para dhe dhurata dhe u kishte kërkuar të dëshmonin kundër Carterit.”
Pasi Gjykata Supreme e Utahut urdhëroi një proces të ri, avokatët e Carterit vunë në dyshim mënyrën si ishte trajtuar hetimi nga autoritetet. Zhvillimi thelbësor erdhi me analizat e ADN-së, të cilat treguan se materiali gjenetik i zbuluar në dorezën e portës dhe thikës së përdorur në krim nuk përputhej me Carterin. Ai u lirua me kusht, me detyrimin të mbajë një pajisje monitorimi GPS.
Përfaqësues të familjes së viktimës kundërshtuan vendimin e lirimit. Nga ana tjetër, avokatët e Carterit kërkuan rrëzimin e plotë të çështjes, duke theksuar se ai ka rrezikuar të ekzekutohej për një krim që mund të mos e ketë kryer.
Carter do të strehohet në një hotel me qëndrim të zgjatur dhe ka nevojë për terapi për të përballuar periudhën e gjatë të burgimit.
Një rigjykim që pritej të zgjaste dy muaj ishte parashikuar për vitin e ardhshëm. Megjithatë, javën e kaluar, prokurorët e qarkut tërhoqën njoftimin se do të kërkonin dënimin me vdekje.

