Egnatia dhe Dinamo City kanë siguruar kualifikime të spikatura në arenën europiane, duke u ngjitur në fazën play-off të kompeticioneve respektive.
Kampionët në fuqi të Shqipërisë regjistruan një tjetër arritje të paharrueshme, teksa Egnatia mposhti thellë Shamrock Rovers me shifrat 5-1, duke përmbysur humbjen 3-1 të marrë në ndeshjen e parë. Me rezultatin total 6-4, skuadra siguroi vazhdimësinë në Kupat e Europës.
Nën drejtimin e trajnerit Nevil Dede, ekipi zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer në ndeshjen e kthimit, duke shënuar katër herë vetëm në pjesën e parë. Daniel Adjessa u bë protagonist me dy gola, ndërkohë që edhe Alessandro Albanese realizoi dy herë. Ildi Gruda shtoi një tjetër gol për ekipin.
Rruga europiane për Egnatian vazhdon në play-off-in e Europa League ndaj Lilleström nga Norvegjia, ndërkohë që pjesëmarrja në fazën e grupeve të Conference League është tashmë e sigurt.
Pasion dhe emocione nuk munguan as për Dinamo City, që përjetoi një mbrëmje të veçantë në Europë. Blutë përmbysën disavantazhin 1-0 të ndeshjes së parë kundër Auda-s, duke fituar 4-0 në ndeshjen e kthimit. Golat u shënuan nga Eridon Qardaku, Klevi Qefalija, Malomo Taofeek Ayodeji dhe David Fadairo.
Ekipi i drejtuar nga Ilir Daja do të vazhdojë rrugëtimin në play-off-in e Conference League, ku kundërshtari i radhës do të jetë Pafos nga Qipro.
Dy skuadra shqiptare, dy përmbysje spektakolare dhe dy shanse të mëdha për të lënë gjurmë në futbollin europian!

