Janë publikuar rezultatet e autopsisë për vrasjen e 25-vjeçarit shqiptar Kevin Muharremi, i vrarë natën e 14 shkurtit në zonën Montecalvoli të komunës Santa Maria a Monte, Itali.
Sipas ekspertizës së mjekut ligjor Marco Di Paolo, vetëm një prej plumbave të qëlluar me një pistoletë gjysmëautomatike Beretta kalibër 6.35 rezultoi vdekjeprurës. Plumbi goditi anën e djathtë të qafës së Muharremit, duke dëmtuar rëndë shtyllën kurrizore në nivelin e vertebrave C2 dhe C3. Ky dëmtim i shkaktoi ndërprerjen e rrugëve nervore, paralizë të frymëmarrjes si dhe hemorragji të brendshme fatale, duke çuar në vdekjen e tij të menjëhershme.
Dokumenti mjeko-ligjor, i dorëzuar rishtazi, pasqyron rezultatet e autopsisë të kryer më 13 mars me urdhër të prokurorit të Pizës, Fabio Pelosi, i cili po udhëheq hetimet për vrasjen.
I dyshuari kryesor
Renato Xyke, një 20-vjeçar shqiptar rezident në Santa Maria a Monte, është i akuzuar për vrasjen. Që nga dita e krimit, ai ndodhet në burg. Policia e arrestoi në Arezzo, teksa po largohej së bashku me familjen e tij me një Range Rover Evoque, automjet nga ku besohet se është qëlluar drejt Muharremit.
Gjatë hetimeve, Xyke nuk ka mohuar që ka shtënë kundër viktimës, i cili ndodhej në sediljen e pasagjerit të një Fiat Doblò të bardhë – aty ku edhe u gjet pa shenja jete.
Zhvillimi i ngjarjes
Hetuesit janë të mendimit se vrasja është rezultat i përshkallëzimit të një konflikti mes dy grupeve shqiptarësh, i cili nisi disa orë më parë dhe mund të ketë pasur tensione edhe më të vjetra.
Përplasja e parë u regjistrua brenda një lokali në zonën Capanne di Montopoli, e më pas konflikti u zhvendos në parkingun e të njëjtit lokal. Më tutje, palët kanë komunikuar në telefon, për t’u përballur në një takim që rezultoi tragjik në Viale della Repubblica, vendi ku ndodhi ekzekutimi.
Ekzaminimi mjekësor vëren se Muharremi është plagosur edhe nga një plumb i dytë, që i ka shkaktuar një dëmtim të lehtë në parakrah dhe kyçin e dorës së djathtë, plagë që nuk kontribuoi në vdekjen e tij.
Në vendin e krimit janë konstatuar të paktën gjashtë të shtëna, siç e vërtetojnë vrimat e plumbave në pjesën e përparme të mjetit Fiat Doblò.
Zhvillimet hetimore
Krahas Renato Xykes, nën hetim ndodhet edhe një 18-vjeçar shqiptar, banues në Montecalvoli, i cili ishte i pranishëm në automjet gjatë ngjarjes. Ky i fundit po hetohet në gjendje të lirë dhe është paraqitur vullnetarisht në Prokurori së bashku me avokatin e tij për të dhënë dëshminë mbi ngjarjen.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të sqaruar tërësisht rrethanat e ngjarjes përpara se procesi të kalojë në seancën paraprake gjyqësore.

