Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) ka shprehur shqetësim për rrezikun me të cilin përballen gazetarët në Shqipëri, duke vënë në dukje një numër të madh të sulmeve të shënuara gjatë protestave të fundit në vend.
Në deklaratën e saj publike, EFJ ngre zërin për faktin se pjesa më e madhe e akteve të dhunës ndaj përfaqësuesve të medias janë kryer nga efektivë të Policisë së Shtetit. Organizata u kërkon institucioneve shqiptare të ndërmarrin hapa konkretë për sigurimin e gazetarëve dhe për të ndëshkuar autorët e këtyre incidenteve.
Të dhënat e rrjetit SafeJournalists, të mbështetur nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), raportojnë se në periudhën 13 deri më 31 tetor janë regjistruar të paktën 55 raste sulmesh ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave.
Incidentet e raportuara përfshijnë dhunë fizike, kërcënime dhe fyerje verbale, ndalim, pengesa në kryerjen e detyrës së gazetarëve si dhe sekuestrim të mjeteve të punës së tyre.
EFJ kujton se, edhe pse institucionet janë informuar zyrtarisht dhe është kërkuar ndërhyrja përmes një letre të hapur më 14 tetor, të nënshkruar nga mbi 30 organizata, numri i sulmeve nuk është ulur, duke i ekspozuar gazetarët ndaj risqeve të vazhdueshme gjatë kryerjes së detyrës së tyre në terren.
Federata Evropiane e Gazetarëve ka vënë në dukje gjithashtu se, në dritën e përpjekjeve të Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, është thelbësore që autoritetet të ruajnë lirinë e medias dhe të sigurojnë të drejtën e qytetarëve për informacion të pavarur dhe transparent.
