Deputetja e Partisë Demokratike, Greta Bardeli, ka lënë të hapur mundësinë për të qenë kandidate e opozitës në zgjedhjet e ardhshme për Bashkinë e Shkodrës.
E ftuar në një intervistë, Bardeli u pyet nëse do të hiqte dorë nga mandati i deputetes për të garuar për drejtimin e bashkisë. Ajo nuk dha një përgjigje përfundimtare, por theksoi se kandidatura do të përcaktohet nga anëtarët e Partisë Demokratike dhe vullneti i qytetarëve shkodranë.
Deputetja u shpreh se opozita do të synojë të marrë drejtimin e Bashkisë Shkodër, ndërsa theksoi se është e gatshme të vihet në shërbim të qytetit nëse emri i saj merr mbështetjen e duhur.
Bardeli kujtoi gjithashtu kontributin e saj shumëvjeçar në Partinë Demokratike, por nënvizoi se në Shkodër ka edhe figura të tjera politike, intelektuale dhe profesionale që mund të marrin përsipër drejtimin e bashkisë.
Në përfundim, ajo ia la vendimmarrjen strukturave të PD-së, duke mos e përjashtuar veten nga gara përballë kandidatëve të tjerë të mundshëm.

