Autoritetet holandeze kanë shtuar përpjekjet për të gjetur pesë shtetas serbë, të cilët dyshohen si të përfshirë në një nga grabitjet më të mëdha të bizhuterive në Evropë. Kjo ngjarje lidhet me vjedhjen e diamanteve dhe sendeve të tjera të rralla, me një vlerë që arrin rreth 40 milionë euro, gjatë panairit ndërkombëtar të artit TEFAF në Mastriht, në vitin 2022.
Një prej personave të shpallur në kërkim është Ninoslava Joviç, 41 vjeçe nga Nishi i Serbisë. Prokuroria në Limburg të Holandës ka ofruar një shpërblim prej 20 mijë eurosh për çdo informacion që ndihmon në identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve, ndërsa kompania e sigurimeve ka lënë një shpërblim prej 600 mijë eurosh për këdo që ndihmon në lokalizimin e bizhuterive të vjedhura.
Hetuesit njoftojnë se Joviç dyshohet se ka qenë e përfshirë në organizimin e kësaj vjedhjeje, megjithatë ajo nuk akuzohet për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në thyerjen e ekspozitave apo marrjen e sendeve të çmuara. Sipas të dhënave të fundit, ajo ndodhet në Serbi dhe gjurmët e saj të fundit janë regjistruar në qytetin e Nishit.
Policia në Holandë ka shpërndarë të dhënat fizike të 41-vjeçares me shpresën se qytetarët mund të ndihmojnë në identifikimin e saj. Ajo njihet për sytë kafe dhe flokët që mund të jenë natyralisht kafe apo të lyer në ngjyrë bionde, ndërsa dallohen buzët e plota. Një tjetër shenjë dalluese janë dy tatuazhet në parakrahë: emri “Selena” në krahun e djathtë dhe fjala “Faith” në të majtin.
Lista e të kërkuarve përfshin gjithashtu katër burra nga Nishi: Aleksandar Ceniç, Aleksandar Stojiljkoviç dhe Duško Dimitrijeviç, të tre 50-vjeçarë, si dhe Bratislav Stojanoviç, 41 vjeç. Autoritetet konsiderojnë se këta persona kanë lidhje me grupin famëkeq “Pink Panther”, famë që e ka fituar për grabitjet e dyqaneve të bizhuterive luksoze në rang ndërkombëtar.
Grabitja që la pa fjalë panairin TEFAF ka ndodhur më 28 qershor 2022. Katër persona, të cilët në fillim vepronin si vizitorë të thjeshtë, janë afruar pranë stendës së bizhuterive luksoze dhe kanë përdorur çekiçë për të thyer vitrinat e xhamit, duke marrë artikuj me vlerë. Në mesin e sendeve të vjedhura ka qenë dhe një gjerdan me diamant të verdhë, i vlerësuar deri në 27 milionë euro.
Vetëm një pjesë e vogël prej objekteve të grabitura është rikuperuar më vonë në vende si Hong Kong, Izrael dhe Botsvanë, teksa pjesa më e madhe e tyre vijon të mungojë.
Hetimet nuk janë përqendruar vetëm tek këta pesë të dyshuar serbë. Policia kërkon të identifikojë edhe dy gra, të filmuara nga kamerat e sigurisë pas grabitjes. Ato udhëtonin me një automjet “Opel”, automjet që dyshohet se u përdor për largimin nga vendi i ngjarjes.
Makina, pasi kaloi fillimisht në Belgjikë, u braktis më vonë në garazhin e një hoteli në Frankfurt të Gjermanisë. Pikërisht në këtë garazh, kamerat kanë filmuar dy gra të veshura me fustane, njëra prej të cilave mbante sandale të kuqe.
Sipas autoriteteve, këto dy gra nuk janë të dyshuara për përfshirje të drejtpërdrejtë në grabitje, por mund të kenë të dhëna të rëndësishme për lëvizjet dhe arratisjen e grupit. Policia i bën thirrje publikut të ndihmojë për të hedhur dritë mbi një nga grabitjet më të mëdha të bizhuterive në Evropë.
