Një incident i rëndë ka ndodhur këtë mesditë në Bulqizë, ku një burrë 53-vjeç, dyshohet se është sulmuar për vdekje nga një ari.
Policia raportoi se viktima u sulmua dhe u kafshua nga një kafshë e egër, ndërsa të afërmit e tij kërkuan ndihmë mjekësore menjëherë pas ngjarjes.
Ngjarja u raportua në Spitalin e Bulqizës rreth orës 14:10, moment kur stafi spitalor informoi policinë për rastin. Menjëherë, shërbimet policore dhe grupi hetimor u drejtuan në vendin e ngjarjes, ku konstatuan se i plagosuri kishte ndërruar jetë. Trupi është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme, ndërkohë që vijojnë hetimet për të sqaruar të gjitha rrethanat e kësaj tragjedie.
Njoftimi i policisë
Bulqizë/Informacion paraprak
Rreth orës 14:10 të ditës së sotme, Spitali i Bulqizës ka njoftuar Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Bulqizë se familjarët e shtetasit U. F., rreth 53 vjeç, kishin kërkuar ndihmë mjekësore, pasi ky i fundit dyshohet se ishte sulmuar dhe kafshuar nga një kafshë e egër (ari).
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar se 53-vjeçari kishte humbur jetën.
Trupi i pajetë i shtetasit U. F. është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
