Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se deri në orën 20:00 janë evidentuar 18 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 9 janë ende aktive ndërsa 3 të tjera monitorohen nga autoritetet.
Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar gjithsej 383 forca operacionale dhe 24 automjete zjarrfikëse. Ato kanë marrë mbështetje nga 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 1 automjet zjarrfikës shtesë dhe 4 helikopterë të Forcës Ajrore.
Ndër zonat më problematike aktualisht janë:
Gojan–Gjegjan, Pukë – Kjo vatër mbetet më shqetësuesja për shkak të terrenit të vështirë dhe erërave të fuqishme. Forcat janë përqendruar në mbrojtjen e banesave dhe është realizuar evakuimi i popullsisë në zonë. Ndërhyrja po kryhet si nga toka, ashtu edhe nga ajri, me përfshirjen e 40 efektivëve të FA-së dhe 3 helikopterëve.
Mal Milot, Kurbin – Në këtë zonë, vijon ndërhyrja me 3 automjete zjarrfikëse, një autobot, 20 trupa të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë. Rreziku për banesat është shmangur, por puna për neutralizimin e plotë të flakëve vazhdon.
Mali i Dajtit – Pas një riaktivizimi të flakëve, operacioni po zhvillohet me forca tokësore dhe një helikopter të FA-së. Aktualisht nuk raportohen kërcënime për zonat e banuara aty pranë.
Gjon, Bulqizë – Kjo vatër është ende aktive. Ajo po monitorohet nga 5 zjarrfikës, 22 vullnetarë dhe 4 punonjës të bashkisë, të cilët po angazhohen veçanërisht për mbrojtjen e banesave afër vatrës së zjarrit.
Ballaxhiaj, Memaliaj – Si rezultat i ndërhyrjes së forcave operacionale, flakët janë vënë nën kontroll dhe ndodhen larg zonës së banuar. Në këtë operacion janë përfshirë forca zjarrfikëse, policia dhe vullnetarë.
Gjithashtu, situata paraqitet e qëndrueshme në Qafë Helmes, ku zjarri është shuar në anën e Bulqizës dhe i izoluar nga krahu i Selishtës. Vatra është neutralizuar edhe në Lufaj të Mirditës. Në të dyja këto zona nuk ka rrezik për banesat, ndërsa monitorimi vijon.

