Tiranë – Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur përditësimin më të ri mbi situatën e zjarreve në vend. Deri në orën 20:00 janë regjistruar 24 vatra, nga të cilat 6 janë ende në aktivitet, ndërsa 5 të tjera po mbikqyren nga autoritetet.
Gjatë ditës, në përpjekjet për shuarjen dhe kontrollin e zjarreve janë përfshirë 126 forca operacionale dhe 18 mjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë ndihmuar operacionet me 20 efektivë, një helikopter dhe dy avionë “Air Tractor”.
Fokusi te “Mali i Dajtit”
Zona kryesore e ndërhyrjes mbetet “Mali i Dajtit”, ku vatrat në lartësitë mbi tunelet e Qafë Mollës ende nuk janë neutralizuar.
Punonjës në terren janë 40 forca të zjarrfikëses, 20 pjesëtarë të Forcave të Armatosura dhe 7 të ADZM-së. Operacioni mbështetet gjithashtu nga ajri me një helikopter dhe dy avionë “Air Tractor”.
Ministria e Mbrojtjes njofton se deri tani nuk ekziston kërcënim për zonat e banuara.
Zjarre aktive në Dibër dhe Librazhd
Në qarkun e Dibrës janë ende në aktivitet vatrat në Ballenjë ku veprojnë 5 forca të ADZM-së, si dhe në Qafë të Helmës, Bulqizë, ku situata është nën vëzhgim nga 4 efektivë të MZSH-së. Edhe këtu nuk raportohet rrezik për shtëpitë.
Ndërkohë, në “Malin e Dardhës” të Librazhdit, një vatër është rikthyer në një sipërfaqe pyjore prej rreth 7–8 hektarësh. Forcat e MZSH Librazhd vazhdojnë punën në terren, pa kërcënim për banesat e zonës.
Gjithashtu, në zonat Gjegjan–Gojan–Prozhëm–Tërbun në Pukë, zjarret janë vënë nën kontroll dhe aktualisht aty ushtrohet vetëm monitorim.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon të ndjekë nga afër situatën në shkallë kombëtare, në bashkëpunim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.
Autoritetet theksojnë se forcat operacionale mbeten të pranishme dhe të gatshme në terren, duke u përqendruar në mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurive.

