Tonin Gjuraj
Në “Elbasan Arena”, Vllaznia fitoi bindshëm 3-1 ndaj AF Elbasanit, por sipas asaj që u pa në fushë dhe në opinionin tim, arbitrimi dhe VAR-i patën një tjetër “vendim”: ta mbyllnin ndeshjen në barazim 1-1. Turp!
I pranishëm në stadium, po e ndaj publikisht opinionin tim për atë që ndodhi.
Mendoj se, përpara çdo prononcimi zyrtar, FSHF-ja duhet të bëjë një analizë realiste, objektive dhe të paanshme të gjithë ngjarjes futbollistike në Elbasan. Sepse, sipas meje, qëndrimi i FSHF-së po merret me pasojën dhe jo me shkakun.
Po, në Elbasan kishte dhunë.
Por dhuna nuk është vetëm fizike.
Kishte, sipas asaj që u pa, një tjetër formë dhune: arbitrimi dhe vendimmarrja e VAR-it ndaj Vllaznisë, lojtarëve, stafit, tifozëve dhe qytetarisë shkodrane.
Arbitrime të paafta, tendencioze apo të ndikuara nga presioni, sipas mendimit tim, krijuan terrenin për një atmosferë thellësisht antisportive. Për më shumë se dy orë, lojtarët dhe stoli i Vllaznisë u përballën me sharje, presion dhe një klimë të rënduar në stadium.
Po, kishte edhe dhunë verbale, e cila u ushqye nga atmosfera në tribunën VIP dhe në tribunën kryesore, për të cilën, sipas meje, duhej të ishin marrë masa për të shmangur tensionet.
Po ashtu, kishte edhe një mosveprim të policisë dhe kompanisë së sigurisë, të cilat, sipas asaj që u pa, nuk ndërhynë në kohë për të parandaluar sjelljet antisportive ndaj lojtarëve dhe stafit shkodran, brenda dhe jashtë fushës.
Përqendrimi i gjithë debatit vetëm te “dhuna” e pretenduar e presidentit Xhaferi ndaj arbitrit të katërt, ndërkohë që anashkalohen episodet e tjera të ndeshjes dhe atmosfera e krijuar në stadium, më duket një qasje tendencioze.
Respekti për futbollin fillon me respektin për lojën e drejtë.
Dhe loja e drejtë fillon me arbitrim të drejtë, të paanshëm dhe profesional.
Po aq e rëndësishme është që FSHF-ja dhe bashkitë, sipas përgjegjësive që kanë, të rishikojnë edhe mënyrën e organizimit të tribunave VIP dhe të shmangin çdo situatë që mund të prodhojë presion apo konflikt gjatë ndeshjeve.
Si mbështetës i hershëm i Vllaznisë dhe i pranishëm në shumë prej ndeshjeve të saj në Shkodër e në rrethe, falë edhe korrektesës së KF Vllaznia dhe presidentit Xhaferi, kam qenë dëshmitar i sjelljes së tij në tribunë dhe i raporteve të tij me drejtuesit e klubeve të tjera, FSHF-në dhe aktorë të ndryshëm të futbollit.
Për këtë arsye, mendoj se është e gabuar që e gjithë vëmendja të përqendrohet te një episod i vetëm, duke lënë në hije problemet që çuan në tensionimin e situatës.
FSHF-ja, bashkitë e Shkodrës dhe Elbasanit, si dhe drejtuesit e të dy klubeve, duhet të shmangin qasjet represive dhe përplasjet mediatike.
Duhet t’i rikthehemi dialogut, mirëkuptimit dhe respektit.
Sepse Vllaznia dhe Elbasani janë dy klube me një traditë të jashtëzakonshme në futbollin shqiptar.
Dhe ajo që duhet të rikthehet në stadiume nuk është dhuna, tensioni apo konflikti.
Është futbolli.
Një futboll ku të fitojë më i miri, me një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

