Alban Xhaferri
48 orë pas përfundimit të ndeshjes Elbasani–Vllaznia, në rrjetet sociale po qarkullon me shpejtësi një video ku shfaqem në një përplasje verbale të ndodhur në përfundim të takimit.
Nuk dua të ndalem te shkaqet apo rrethanat që më çuan në atë reagim, sepse asnjë situatë nuk e justifikon një sjellje të tillë. Për këtë arsye, e ndiej detyrë t’i drejtohem publikisht opinionit publik.
Së pari, i kërkoj publikisht dhe sinqerisht ndjesë arbitrit Ergys Spahiu dhe familjes së tij për veprimet e mia në atë moment tensioni dhe presioni të jashtëzakonshëm psikologjik.
Ergys Spahiu personalisht nuk kishte asnjë faj në atë përplasje dhe reagimi im ndaj tij ishte i papranueshëm. Çështja tashmë është sqaruar mes nesh, në frymën e mirëkuptimit dhe respektit reciprok.
I kërkoj gjithashtu ndjesë çdo familjeje shqiptare dhe kujtdo që ka parë apo dëgjuar ato pamje. Një sjellje e tillë nuk përfaqëson as edukatën time, as vlerat në të cilat besoj dhe që kam përfaqësuar gjatë gjithë jetës sime.
Së dyti, dua të jem shumë i qartë: beteja ime nuk është dhe nuk do të jetë kundër individëve.
Qëndrimi im është kundër një sistemi që, sipas bindjes sime, po dëmton rëndë besimin te futbolli shqiptar.
I bëj thirrje Presidentit të FSHF-së, z. Armand Duka, që të ndërhyjë dhe që, së bashku me klubet dhe të gjithë aktorët e futbollit shqiptar, të ndërtojmë një sistem më transparent, më të drejtë dhe më të kontrollueshëm.
Një sistem ku puna, mundi, investimi dhe djersa e askujt të mos mohohen.
Së treti, për një pjesë të mediave që prej ditësh kanë zgjedhur ta zhvendosin të gjithë debatin nga problemet reale të futbollit tek ideja se “e keqja është Alban Xhaferi”, kam vetëm një përgjigje:
Më gjykoni për veprimet e mia. Më kritikoni kur gaboj — dhe për këtë rast e kam pranuar publikisht gabimin tim.
Por mos e përdorni një gabim timin për të zhvendosur vëmendjen dhe për të fshehur problemet që kërkojnë përgjigje.
Alban Xhaferi vjen nga një familje e nderuar dhe e respektuar shkodrane. Jetën dhe punën time i kam ndërtuar me ndershmëri, me punë dhe me besim të palëkundur në Zot.
Kam gabuar dhe do të gaboj, si çdo njeri. Por do të kem gjithmonë forcën të kërkoj falje kur gaboj dhe po aq forcë të ngre zërin kur besoj se po bëhet një padrejtësi.
Për Vllazninë, për Shkodrën dhe për një futboll shqiptar më të drejtë, do të vazhdoj të luftoj.
Por do ta bëj duke nxjerrë mësimet e duhura edhe nga gabimet e mia njerëzore.

