Vllaznia vijon lëvizjet në merkaton e verës për të forcuar repartin defensiv. Një nga emrat që është rikthyer në vëmendjen e drejtuesve kuqeblu është ai i mbrojtësit haitian François Dulysse.
Sipas informacioneve, klubi shkodran ka rifilluar kontaktet me 27-vjeçarin, i cili kishte qenë në planet e Vllaznisë edhe gjatë merkatos së kaluar. Në atë periudhë, lojtari vendosi ta vazhdonte karrierën jashtë Shqipërisë, por tashmë palët po shqyrtojnë sërish mundësinë e një bashkëpunimi.
Dulysse është një emër i njohur për futbollin shqiptar, pasi me Egnatian arriti të fitojë trofe të rëndësishëm. Aktualisht ai është pjesë e skuadrës izraelite Hapoel Hadera.
Ende nuk ka një marrëveshje zyrtare mes palëve, por negociatat janë në zhvillim dhe mbetet për t’u parë nëse mbrojtësi haitian do t’i bashkohet Vllaznisë për sezonin e ri.
Burimi: Gazeta Shkodra Sport

