Vllaznia humbet çështjen në FIFA, gjobë 2000 dollarë dhe 11.499 euro detyrim ndaj Kahrimanoviçit

Publikuar me datë:

Vllaznia është përballur me një tjetër vendim të pafavorshëm në FIFA, këtë herë në çështjen me ish-futbollistin Amir Kahrimanoviç. Dhoma për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve i ka dhënë të drejtë lojtarit në konfliktin financiar me klubin shkodran.

Sipas vendimit, Vllaznia duhet t’i paguajë Kahrimanoviçit 11.499 euro neto, shumë që lidhet me pagat e papaguara për muajt prill, maj dhe qershor 2025. Mbi këtë detyrim do të aplikohet edhe interes 5% në vit, duke nisur nga datat përkatëse të maturimit të pagesave.

Kahrimanoviç kishte kontratë me klubin për sezonin 2024/2025 dhe përfitonte 3833 euro neto në muaj, të ndara në 2500 euro pagë dhe 1333 euro dietë.

Vllaznia pretendoi gjatë procesit se pagesa e muajit prill ishte kryer në dorë dhe paraqiti si provë një mandat-arkëtim. FIFA, megjithatë, nuk e mori në konsideratë këtë dokument, pasi ai nuk ishte paraqitur i përkthyer në një nga gjuhët zyrtare të institucionit. Për këtë arsye, pagesa nuk u konsiderua e provuar.

Një tjetër argument i klubit lidhej me përfundimin e sezonit. Vllaznia pretendoi se detyrimi ndaj futbollistit duhej të llogaritej vetëm deri më 12 maj 2025, kur skuadra kishte zhvilluar ndeshjen e fundit të sezonit. FIFA iu referua të dhënave të sistemit TMS, ku kontrata rezultonte e regjistruar deri më 30 qershor 2025.

Për rrjedhojë, institucioni i FIFA-s vlerësoi se Kahrimanoviç kishte të drejtë të kërkonte pagesat deri në përfundimin zyrtar të kontratës dhe jo vetëm deri në datën e ndeshjes së fundit të Vllaznisë.

Klubi shkodran kërkoi gjithashtu që nga shuma t’i zbritej një penalitet prej 4000 eurosh, për shkak të pretendimit se futbollisti nuk kishte kthyer disa pajisje të klubit. Edhe kjo kërkesë u rrëzua nga FIFA, e cila e konsideroi penalitetin joproporcional dhe vlerësoi se Vllaznia nuk kishte paraqitur dokumentacion të mjaftueshëm për të përcaktuar pajisjet dhe vlerën e tyre.

Përveç detyrimit ndaj ish-futbollistit, Vllaznia është gjobitur edhe me 2000 dollarë, shumë që duhet t’i paguhet FIFA-s. Sipas vendimit, masa lidhet me faktin se kjo është shkelja e tretë e klubit brenda një periudhe dyvjeçare.

Në përfundim, Vllaznia detyrohet të shlyejë 11.499 euro ndaj Kahrimanoviçit, plus interesat përkatëse, si dhe gjobën prej 2000 dollarësh ndaj FIFA-s.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related