Klubi shkodran i Vllaznisë duket se ka lënë pas problemet financiare që gjatë sezoneve të fundit i kushtuan disa herë bllokimin e merkatos. Për herë të parë në tre sezonet e fundit, emri i kuqebluve nuk figuron në listën e klubeve shqiptare ndaj të cilave FIFA ka vendosur masa ndëshkuese për detyrime të papaguara.
Sipas të dhënave të publikuara në portalin zyrtar të FIFA-s, disa ekipe shqiptare vijojnë të kenë të bllokuar merkaton për shkak të çështjeve të humbura në instancat e drejtësisë sportive. Ndërsa Vllaznia mungon në këtë listë, çka mund të tregojë se klubi ka shlyer detyrimet ndaj ish-futbollistëve me të cilët kishte pasur mosmarrëveshje financiare.
Megjithatë, kjo nuk përjashton mundësinë që në të ardhmen të shfaqen çështje të reja, nëse ndonjë prej ish-lojtarëve vendos t’i drejtohet institucioneve përkatëse.
Problemet te skuadra shkodrane arritën kulmin sezonin e kaluar, kur FIFA i bllokoi tri herë merkaton, si pasojë e të paktën tri çështjeve të humbura. Masa e fundit, gjatë merkatos së verës, pati pasoja të drejtpërdrejta edhe në fushën e lojës, pasi disa futbollistë nuk mundën të federoheshin për ndeshjet e Kupave të Europës.
Kjo e detyroi Vllazninë të përballej me Malishevën me një skuadër të përbërë kryesisht nga futbollistë të rinj, duke pësuar një humbje të thellë 5-0 ndaj ekipit kosovar.
Sa i përket situatës aktuale, Flamurtari kryeson listën e klubeve shqiptare me gjashtë çështje dhe 18 periudha merkatoje të bllokuara. Në vendin e dytë renditet Tirana me pesë çështje dhe 15 periudha të bllokuara.
Në listën e FIFA-s figurojnë gjithashtu Luftëtari, Valbona, Dinamo, Bylis, Kukësi dhe Oriku.
Mungesa e Vllaznisë në këtë listë është një zhvillim pozitiv për klubin shkodran, që pas disa sezonesh me probleme financiare duket se ka arritur të kapërcejë një prej pengesave që ndikuan edhe në ndërtimin e skuadrës.
