Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur shqetësim lidhur me ecurinë e procesit për plotësim-ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke alarmuar se, në rast të vazhdimit të zvarritjes dhe mospërmbylljes së shpejtë, do të organizojë protesta të gjera popullore.
Me anë të një deklarate për media, OVL e UÇK-së iu bëri apel deputetëve të shumicës parlamentare dhe të gjitha partive politike që të lënë pas interesat partiake dhe të përmbyllin me urgjencë këtë proces të rëndësishëm.
“Është tërësisht e papranueshme që kjo çështje kaq e rëndësishme të zvarritet për shkak të përplasjeve politike apo presionit të bashkësisë ndërkombëtare. Qeveria dhe shumica parlamentare duhet ta kenë të qartë se përgjegjësia e tyre është të veprojnë dhe të mos lejojnë që vonesat të bëhen pengesë për përfundimin e këtij procesi”, thuhet në reagim.
Organizata thekson gjithashtu se shpërdorimi i kësaj teme të ndjeshme për kalkulime politike apo thellimin e ndarjeve ndërmjet subjekteve është i papranueshëm dhe jo i drejtë.
OVL e UÇK-së kërkon miratimin sa më të shpejtë të plotësim-ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke apeluar që procesi të kryhet me procedurë të përshpejtuar dhe brenda periudhës më të shkurtër që lejojnë rregullat parlamentare dhe institucionale.
Ndërkohë, megjithëse sot pritej që Kuvendi i Kosovës të vendoste në votim ndryshimet e propozuara, seanca plenare u shty për një datë të pacaktuar, dhe vendimi mbetet pezull deri në një njoftim të ardhshëm.
Kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se është duke u përgatitur një ligj i ri për Dhomat e Specializuara, duke shtuar se drafti i parë i tij pritet të paraqitet javën që vjen.
Kurti njoftoi se grupi punues për hartimin e strategjisë shtetërore për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të paraqesë propozimin për ligjin e ri.
Gjatë fjalës së tij në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ai sqaroi se në këtë grup përfaqësohen institucionet relevante dhe partitë parlamentare, ndërkohë që në hartimin e dokumentit janë angazhuar edhe profesionistë të fushës juridike.
Kurti nënvizoi se përgatitja e ligjit të ri kërkon kujdes të veçantë që të jetë në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Kosovë, para se të dërgohet për shqyrtim dhe miratim. Ai ritheksoi se qëndrimi i tij lidhur me Gjykatën Speciale mbetet i njëjtë që nga pranvera e vitit 2015.
