Tre inspektorë të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër janë vlerësuar me Certifikatën e Karrierës nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe përkushtimin e tyre ndër vite në shërbim të uniformave blu.
Certifikatat iu dorëzuan gjatë një ceremonie të zhvilluar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, nga drejtues të kësaj strukture, në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Efektivi Idriz Rekaj është vlerësuar pas 39 vitesh shërbim në Policinë e Shtetit, Nikoll Pjetri pas 33 vitesh, ndërsa Dod Lasdushaj pas 32 vitesh në radhët e policisë.
Certifikatat u akorduan me motivacionin “Për merita të veçanta dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës në shërbim të Policisë së Shtetit”.
Gjatë karrierës së tyre, tre inspektorët kanë kontribuar në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, duke ushtruar detyrën me përgjegjësi dhe përkushtim. Në përfundim të ceremonisë, ata falënderuan për vlerësimin dhe uruan kolegët për suksese të mëtejshme në përmbushjen e misionit të Policisë së Shtetit.
