Një 56-vjeçar është arrestuar në pikën kufitare të Muriqanit, pasi tentoi të fuste në Shqipëri mbi 1 kilogram kokainë me automjetin e tij.
Policia bën me dije se arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Bashkëpunimi”, pas koordinimit mes Policisë Kufitare dhe autoriteteve doganore.
Gjatë kontrollit të detajuar në vijën e dytë të një automjeti tip “Renault”, që drejtohej nga shtetasi A. H., banues në Durrës, shërbimet zbuluan brenda një çante një pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë mbi 1 kilogram.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda e dyshuar narkotike dhe automjeti.
Ndërkohë, strukturat e Hetimit të Narkotikëve në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Shkodrës.
