Komisioni Europian ka publikuar Progres-Raportin 2026 për Shqipërinë, duke vlerësuar arritjet e vendit në procesin e integrimit europian, teksa njëkohësisht ngre shqetësime për funksionimin e institucioneve demokratike, luftën kundër korrupsionit, ndërhyrjet politike në sistemin e drejtësisë dhe sfidat mbi lirinë e medias. Sipas dokumentit, Shqipëria ka përmbushur kriteret e ndërmjetme që lidhen me çështjet thelbësore të negociatave. Ambicia e autoriteteve shqiptare mbetet përmbyllja e të gjithë kapitujve deri në fund të vitit 2027.
Raporti thekson, megjithatë, probleme të vazhdueshme në dialogun politik midis mazhorancës dhe opozitës, refuzimin sistematik të kërkesave për ngritjen e komisioneve hetimore, si edhe politizimin e procesit të emërimeve në institucionet e pavarura. Po ashtu, kritikat shtrihen edhe ndaj sistemit të drejtësisë. Komisioni vlerëson përfundimin e procesit të vettingut dhe rolin e SPAK-ut në luftën ndaj korrupsionit në nivele të larta, por nënvizon shqetësimin për përpjekjet e vazhdueshme të politikanëve dhe zyrtarëve publikë për të ushtruar ndikim në sistemin gjyqësor.
Liria e medias mbetet një tjetër pikë problematike e evidentuar në raport. Sipas Komisionit Europian, pavarësia e mediave në Shqipëri ndikohet ende nga interesa politike dhe ekonomike, përqendrimi i pronësisë te pak aktorë dhe presione të vazhdueshme mbi gazetarët. Raporti ndalet edhe te protestat qytetare të muajve të fundit, përfshirë ato të organizuara nga studentët, duke bërë thirrje për një dialog konstruktiv midis palëve të përfshira.
Përsa u përket të drejtave themelore, Brukseli i bën thirrje Shqipërisë të përmirësojë kushtet në institucionet e vuajtjes së dënimit, të garantojë të drejtën e pronës dhe të forcojë mbrojtjen e pakicave. Në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Europian, deri në dhjetor të vitit 2025 Shqipëria ka realizuar 33 nga 66 hapa të përcaktuar, ndërkohë që ka në dispozicion më shumë se 920 milionë euro në formë grantesh dhe kredish.
Progres-Raporti i këtij viti sjell një mesazh të qartë: Shqipëria ka përparuar në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, por për të arritur objektivin e vitit 2027 kërkohen reforma të thella dhe rezultate të matshme në forcimin e demokracisë, drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit.
