Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimin dhe ka dërguar për gjykim në GJKKO çështjen ndaj Ervin Matës, i akuzuar se ka qenë në krye të një organizate kriminale që ka trafikuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës.
Pas një procesi hetimor që ka zgjatur afro tre vjet, SPAK e akuzon Matën për “Trafikim të narkotikëve” në bashkëpunim, për veprën penale të “Grupit të strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.
Hetimi është zhvilluar nga Vladimir Mara, shefi i Seksionit për Krimin e Organizuar në SPAK.
Arrestimi i Ervin Matës ndodhi në prill të këtij viti në Brazil, pasi autoritetet shqiptare kishin kërkuar ndalimin e tij. Disa ditë më parë, Gjykata Supreme Federale e Brazilit miratoi kërkesën për ekstradimin e Matës në Shqipëri.
Referuar gjetjeve të SPAK, grupi i drejtuar nga Ervin Mata dyshohet se ka trafikuar afro 250 kilogramë kokainë. Sasia e drogës është lëvizur nga Brazili dhe kishte destinacion aeroportin e Frankfurtit në Gjermani, në fund të muajit shtator 2022.
Në tetor të vitit të kaluar, ndaj Matës u caktua masa e sigurisë “arrest në burg” në mungesë.
Lidhur me këtë trafik të lëndëve narkotike, disa anëtarë të tjerë të të njëjtit grup janë dënuar më parë me gjithsej mbi 60 vite burg.
Emri i Ervin Matës është përmendur edhe më parë në dosjet e drejtësisë shqiptare, lidhur me përplasjen në vitin 2018 me Ervis Martinajn në një lokal në ish-Bllok, Tiranë, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha, truproja e ish-bosit të lojërave të fatit.

