Futbollistët e Kosovës, të mbledhur për sfidat e ardhshme në Ligën e Kombeve, kanë zgjedhur të shprehin publikisht qëndrimin e tyre, duke u paraqitur me bluza të cilat mbanin mbishkrimin “Drejtësi për çlirimtarët”.
Federata e Futbollit të Kosovës njoftoi se Kombëtarja dhe FFK-ja janë bërë pjesë e fushatës së mbështetjes për ish-udhëheqësit e UÇK-së. Gjatë stërvitjeve në palestër dhe në stadiumin “Fadil Vokrri”, lojtarët kanë veshur bluza që bartnin të njëjtin mesazh solidariteti: “Drejtësi për çlirimtarët”.
FFK-ja në një njoftim të saj theksoi: “DREJTËSI PËR ÇLIRIMTARËT! Kombëtarja e Kosovës dhe FFK-ja iu bashkuan mesazhit të mbështetjes për ish-drejtuesit e UÇK-së, duke mbajtur të veshura gjatë stërvitjes në palestër dhe në seancën stërvitore në ‘Fadil Vokrri’ bluzat me mbishkrimin: ‘DREJTËSI PËR ÇLIRIMTARËT’. ‘JO NË EMRIN TIM’. Me këtë veprim, Dardanët përcollën një mesazh të qartë solidariteti për katërshen e UÇK-së”, ka shkruar FFK-ja.
Përballja e parë e Kosovës në këtë fazë të Ligës së Kombeve do të zhvillohet të enjten ndaj Irlandës, ndeshje që do të luhet në Prishtinë.

