Fran Gjoka është emri që, sipas burimeve, Partia Socialiste pritet të propozojë për garën e ardhshme për Bashkinë Pukë.
Sipas burimeve, kandidatura e biznesmenit dhe aktivistit me origjinë nga Puka është diskutuar gjatë një takimi që Gjoka ka zhvilluar me kryeministrin Edi Rama në Shtetet e Bashkuara.
Burimet pretendojnë se në këtë takim është diskutuar konkretisht angazhimi i Gjokës në garën për drejtimin e Bashkisë Pukë. Mësohet se ai ka kërkuar mbështetje financiare dhe investime për zonën, si një prej kushteve për të hyrë në garën elektorale.
Gjoka jeton prej vitesh në SHBA dhe është aktiv në komunitetin shqiptar në Michigan, ndërsa lidhjet e tij me Pukën kanë vijuar ndër vite përmes angazhimeve të ndryshme komunitare, kulturore dhe humanitare. Media të diasporës e kanë përmendur gjithashtu si një prej kontribuesve në aktivitetet kulturore shqiptare në Michigan.
Ai ishte i pranishëm edhe në takimin e fundit të Edi Ramës me shqiptarët në SHBA, ku mbajti një fjalim.
Pikërisht takimi me Ramën në SHBA ka qenë momenti kur është diskutuar kandidimi i tij për Pukën.
Nëse informacioni konfirmohet nga strukturat e Partisë Socialiste, Gjoka do të përfaqësojë socialistët në garën për Bashkinë Pukë. Zyrtarizimi i kandidaturës pritet të bëhet në vijim nga vetë partia.
Deri në këtë fazë, kandidatura nuk rezulton e konfirmuar publikisht nga Partia Socialiste.
Burimi Portali Veriu Sot

