Kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai, është ngritur si i akuzuar nga SPAK për favorizimin e “A&E Engineering” në disa procedura tenderimi. Hetimet sugjerojnë se kriteret e tenderëve, projekti dhe fondi limit ishin hartuar duke iu përshtatur kësaj kompanie të vetme.
SPAK ka paraqitur për gjykim edhe 15 individë të tjerë, përfshirë 7 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Autoritetit Rrugor Shqiptar, 7 anëtarë të Bashkisë Kolonjë dhe administratoren e “A&E Engineering”, Entela Çano. Akuzat përfshijnë “Shpërdorim detyre”, “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera” dhe “Falsifikim dokumentesh”.
Në dosjen e SPAK rezulton se Çano kishte raporte të ngushta me Isain, duke komunikuar shpesh përmes mesazheve. Kryebashkiaku e orientonte atë për tenderët nëpërmjet bisedave në WhatsApp, ndërsa kompania e saj ishte mbikëqyrëse e shumë projekteve të mëdha, kryesisht të realizuara nga të njëjtat firma ndërtuese.
Një nga tenderët kryesorë në këtë rast është ai për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë, Loti 2, me një fond limit prej 2.88 miliardë lekë me TVSH.
Sipas SPAK, Bashkia Kolonjë kishte kërkuar financim nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për një projekt që pretendonte se e kishte marrë si dhurim, por hetimi ka zbuluar se ky projekt në fakt nuk ekzistonte.
“Nga veprimet hetimore dhe provat e administruara, është konstatuar se Bashkia Kolonjë nuk kishte dokumentacion projektues të përgatitur për këtë objekt, edhe pse ekziston një korrespondencë zyrtare me Autoritetin Rrugor Shqiptar që paraqitet në mënyrë të kundërt”, theksohet në komunikatën e SPAK.
Prokuroria ka theksuar se dokumentet ishin falsifikuar për të krijuar iluzionin se projekti ishte dorëzuar.
“Provat e administruara, të mbështetura gjithashtu nga ekspertiza grafike e shkrimit dhe nënshkrimit të dokumentit, kanë treguar se grupi i punës i Bashkisë Kolonjë, i përbërë nga Erjon Cenko dhe Engjëll Dine, në bashkëpunim me Entela Çanon, kanë falsifikuar procesverbalin e marrjes në dorëzim të projektit, kur në fakt nuk ka ekzistuar një projekt”, deklaron SPAK.
Prokuroria thekson se jo vetëm projekti ka pësuar manipulim.
Edhe fondi limit i tenderit është përllogaritur në mënyrë të paligjshme. SPAK pretendon se ish-drejtori i ARRSH-së, Ergys Verdho, së bashku me vartësit e tij Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, kanë përcaktuar vlerën e tenderit pa pasur një projekt teknik, duke u mbështetur mbi të dhënat e ofruara nga vetë kompania që e fitoi tenderin.
Ekspertiza teknike dhe kontabël ka zbuluar se fondi limit ishte fryrë me 590.2 milionë lekë.
Hetimi gjithashtu zbuloi se Entela Çano nuk ishte favorizuar vetëm në tenderin për rrugën Korçë-Ersekë. Procedura për supervizimin e punimeve, me një fond limit prej 22.7 milionë lekë, gjithashtu ishte orientuar në favor të kompanisë së saj, sipas SPAK.
“Anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë e shtetases Entela Çano, ‘A&E Engineering’ sh.p.k.”, theksohet në njoftimin e SPAK.
Një rast tjetër i lidhur me tenderin për mbikëqyrjen e ndërtimit të ujësjellësit të Ersekës dhe disa fshatrave rreth, zbulon se fondi limit nuk ishte bazuar në një studim të vërtetë tregu, por në oferta fiktive të përgatitura nga vetë kompania fituese.
Madje, Prokuroria pretendon se edhe kriteret teknike ishin shkruar nga Entela Çano vetë.
Sekuestrimi i telefonit të saj zbuloi lidhje të drejtpërdrejta me kryebashkiakun Erion Isai, së bashku me angazhimin e saj në përgatitjen e dokumenteve që Bashkisë i nevojiteshin për hapjen e tenderave. Komunikimet midis Isait dhe Çanos dëshmojnë për një marrëdhënie të ngushtë mes tyre, ku Çano luante një rol të rëndësishëm në organizimin e projekteve për ujësjellësin.
Erion Isai: Mirëmëngjes… shefe, si je?
Entela Çano: Po njoftoj inxhinierin që t’iu sjellë projektin.
Erion Isai: Nesër do jem në Tiranë, më duhet projekti i fshatrave për ta kaluar te këshilli teknik.
Isai dhe Çano diskutonin për uljen e parametrave dhe shumat që duhej të paraqiteshin, duke treguar sesi procedura ishte orientuar paraprakisht në bashkëpunim mes zyrtarëve të bashkisë dhe kompanisë fituese.
Erion Isai: Më duhet deri të premten lista me emrat e fshatrave dhe vlerat për çdo fshat, të lutem. Një zjarr të lutem!
Entela Çano: Pa problem, do bëj të pamundurën që deri të premten ta dorëzoj.
Sa i përket ujësjellësit, hetimi ka zbuluar se vlera maksimale e mbikëqyrjes ishte 8.3 milionë lekë pa TVSH, e cila përkon me fondin limit të prokurimit ku shpallet fitues operatori që ofron ofertën më të afërt me vlerën minimale të llogaritur nga autoriteti kontraktor, por jo më poshtë se ajo.
Në lidhje me Erion Isain, SPAK përfundon se ai jo vetëm ka miratuar procedurat, por ka bashkëpunuar për vendosjen e kritereve që favorizuan kompaninë fituese.
Nga Lapsi.al

