Biblioteka Shkencore e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u bë pjesë e aktivitetit përmbyllës të projektit të Qendrës së Studimeve Albanologjike, financuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit dhe mbështetur nga Universiteti i Shkodrës.
Në kuadër të aktivitetit u çel një ekspozitë me periodikë të botuar në Shkodër gjatë periudhës 1879–1920, duke sjellë në vëmendje një pjesë të rëndësishme të historisë së shtypit dhe jetës kulturore të qytetit.
Pjesë e aktivitetit ishte edhe prezantimi i monografisë “Shtypi në Shkodër nga fillimet e tij deri në vitin 1920”, një prej rezultateve kryesore të këtij projekti kërkimor.
Studimi është mbështetur në analizën e 39 organeve periodike të botuara në Shkodër dhe synon të pasqyrojë zhvillimin e shtypit shkodran, por edhe idetë, debatet dhe zhvillimet politike, kulturore e shoqërore të periudhës.
Në realizimin e projektit janë angazhuar studiues të Qendrës së Studimeve Albanologjike: prof. dr. Artan Haxhi, prof. as. dr. Zamira Shkreli, prof. as. dr. Ermira Alija, prof. dr. Alfred Çapaliku, dr. Erzen Koperaj, prof. as. dr. Karmen Lazri dhe dr. Isida Hoxha, drejtuese e projektit.
Aktiviteti u përshëndet edhe nga rektorja e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, e cila vlerësoi punën e studiuesve dhe kontributin e projektit në dokumentimin dhe studimin e trashëgimisë së shtypit shkodran.
Ekspozita dhe monografia sjellin në vëmendje rolin që pati shtypi në Shkodër në pasqyrimin dhe zhvillimin e jetës intelektuale, kulturore e shoqërore të qytetit në dekadat e para të historisë së tij të botimeve periodike.

