Shqipëria eksperimentale/ Kombëtarja luan sonte miqësoren e radhës ndaj Luksemburgut

Publikuar me datë:

Shpresohet që humbja të lihet prapa, dhe të bëhet kthesë.

Kombëtarja shqiptare ka shansin e dytë në pak ditë për të fituar nën drejtimin e trajnerit të ri Rolando Maran, dhe mundësitë duken të mira edhe sepse përballë nesh është Luksemburgu.

Disfata me një gol të vetëm ndaj Izraelit shkaktoi shumë dëshpërim, ndonëse tekniku italian dhe lojtarët kuqezi kanë folur me optimizëm këto ditë, se ndryshimi do të vijë shpejt.

Për më tepër, humbjet po na bëhen ves, sepse përballë hebrejve ishte e katërta radhazi, tri prej të cilave nën drejtimin e Silvinjos, siç ishin ndaj Anglisë në eliminatoret e Kupës së Botës, me Poloninë në Varshavë në gjysmëfinalen e plej ofit për në Botëror, si dhe në dy miqësoret kundër Ukrainës dhe Izraelit.

Kombëtarja u stërvit një ditë para ndeshjes në fushën e “Arenës Air Albania” ku sot do të luhet ndeshja me nisje në orën 20:00.

Ndryshimet janë logjike me Mehmetin që mungon I sëmurë, dhe me Uzunin që kthehet, por edhe me dëshirën e trajnerit Maran për të parë sa më shumë lojtarë e për të bërë sa më shumë eksperimente, ndërsa afrohet Liga e Kombeve në shtator.

Vetë tekniku italian flet kështu.

“Ndaj Luksemburgut duhet të vendosemi në fushë në mënyrë më të ekuilibruar. Përkushtimi I skuadrës është një vlerë shumë e madhe për ne. Kjo më bën që të mendoj se do të mund të përmirësohemi shpejt. Koha është e paktë, por unë kam besim. Sot nuk ka më kundërshtarë të lehtë, ju e dini. Do të dalim në fushë për të dhënë maksimumin, për të përmirësuar lojën. Ne luajmë edhe për rezultatin, edhe për të qenë gati në shtator për Ligën e Kombeve. Do të kemi Uzunin, por humbasim Mehmetin që është me temperaturë”.

Bilancin me Luksemburgun e kemi pozitiv, por jo edhe aq shumë.

Kuqezinjtë kanë arritur 4 fitore, kanë marrë një barazim, por edhe kanë pësuar dy humbje.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related