Arrestimi i 43-vjeçarit shqiptar në Athinë ka marrë një tjetër zhvillim, pasi hetuesit grekë dyshojnë se ai mund të ketë kryer edhe dy vrasje në Shqipëri, përpara se të largohej drejt Greqisë.
Sipas mediave greke, i arrestuari, i njohur si Nikolin Pali, dyshohet se ka pranuar autorësinë e dy krimeve të tjera të rënda. Ndërkohë, autoritetet po verifikojnë nëse ai është në të vërtetë Fran Preldakaj, i njohur edhe si Zef Preldakaj, i kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe i dënuar me 22 vite burg për vrasje.
43-vjeçari u kap nga forcat speciale EKAM në zonën e Patisias, ku jetonte duke përdorur dokumente identifikimi të falsifikuara. Ai ishte dënuar në mungesë me dy burgime të përjetshme për vrasjen e ish-partneres dhe partnerit të saj në Loutraki, në vitin 2020.
Sipas hetimeve, shqiptari dyshohet se i vrau të dy viktimat me sëpatë, u mori paratë dhe bizhuteritë dhe më pas dogji automjetin e gruas për të zhdukur gjurmët e krimit.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia sekuestroi një pistoletë, dy granata funksionale, mekanizma ndezës, pranga metalike dhe një dokument qëndrimi në emër të një personi tjetër, por me fotografinë e të arrestuarit.
Autoritetet greke po hetojnë gjithashtu lidhjen e tij të mundshme me dy ekzekutime të tjera, që dyshohet se janë kryer me pagesë. Ndaj tij rezultonin në fuqi gjashtë vendime dënimi për vrasje, grabitje dhe zjarrvënie, ndërsa bashkëpunimi me Interpolin shqiptar konfirmoi edhe ekzistencën e një kërkimi ndërkombëtar për tentativë grabitjeje me armë në bashkëpunim.
Në të njëjtin operacion u arrestua edhe një 41-vjeçare e huaj, e dyshuar se e kishte ndihmuar shqiptarin t’i shmangej drejtësisë.
