E braktisi partneren adoleshente në majën e mbuluar nga bora në Gjermani, 21-vjeçari përfundon nën hetim

Publikuar me datë:

Një 21-vjeçar nga Gjermania është vënë nën hetim nga autoritetet në Austri, pasi dyshohet se ka lënë të dashurën e tij 17-vjeçare të braktisur në mal, në mes të temperaturave që shënonin disa gradë nën zero. Incidenti ndodhi në malin Zugspitze, pika më e lartë në Gjermani, ku e reja mbeti e izoluar në një lartësi rreth 2.500 metra, mes borës dhe motit të ashpër.

Adoleshentja ishte e detyruar të kontaktonte vetë shërbimet e emergjencës, duke kërkuar ndihmë. Ekipet e shpëtimit arritën në vendngjarje, dhe ajo u nxor nga mali me helikopter, më pas u transportua me ambulancë drejt spitalit në Garmisch-Partenkirchen, në Gjermani. Sipas autoriteteve, 17-vjeçarja kishte shenja hipotermie, por pasi mori trajtimin mjekësor, u largua nga spitali.

Të dy të rinjtë ishin nisur herët në mëngjesin e së dielës nga zona turistike Ehruald në Tirolin austriak, duke pasur si synim të shihnin lindjen e diellit në majen e Zugspitze, që ndodhet në 2.962 metra lartësi.

Në rrugën e tyre, kushtet meteorologjike u përkeqësuan ndjeshëm. Temperatura ra deri në -12 gradë Celsius, ndërsa bora arriti nivele të tilla që ata detyroheshin të ecnin deri në gjunjë. Përballë këtyre vështirësive, të rinjtë hoqën dorë nga plani fillestar për të arritur majën dhe, në një moment, u ndanë nga njëri-tjetri. 21-vjeçari vendosi të zbriste i vetëm nga mali, duke lënë pas 17-vjeçaren në kushte të rënda.

Shkaqet e ndarjes së tyre nuk janë sqaruar ende. Një zëdhënës i policisë austriake ka refuzuar të japë më shumë hollësi, duke theksuar se hetimet po vazhdojnë.

Në operacionin e shpëtimit u përfshinë shtatë pjestarë të ekipeve malore, ndërsa për të nxjerrë vajzën nga zona e rrezikshme u angazhua edhe një helikopter.

Autoritetet po e hetojnë 21-vjeçarin për “rrezikim të sigurisë fizike të një personi tjetër”. Sipas ligjeve në Austri, kjo vepër dënohet deri në tre muaj burg. Prokuroria e Innsbruckut do të vendosë për ecurinë e mëtejshme të çështjes pas përfundimit të hetimeve dhe marrjes së raportit nga policia.

Ky rast ka sjellë në kujtesë një tjetër ngjarje të rëndë, që u shënua në janar të vitit 2025, në malin Grossglockner, majën më të lartë në Austri. Gjatë asaj ngjarjeje, një 33-vjeçare humbi jetën nga ngrirja, pasi u la vetëm në mal nga partneri i saj.

I dashuri i 33-vjeçares u shpall fajtor për vrasje nga pakujdesia e rëndë. Në gjyq, ai deklaroi se ishte larguar vetëm për të kërkuar ndihmë, duke theksuar se kishte dashur partneren dhe se ishte thellësisht i penduar për atë që ndodhi.

Prokuroria asokohe argumentoi se, si udhëheqës i ekspeditës dhe alpinisti më me përvojë, ai kishte detyrimin të merrte masa më të shpejta, të ndërpriste ngjitjen ose të kërkonte ndihmë në kohë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related