SHKODËR – Fati i personave të zhdukur gjatë diktaturës komuniste është rikthyer në vëmendje në Shkodër përmes një ekspozite të përhershme të çelur pranë Varrezave të Rrmajit.
Ekspozita, e titulluar “Rrmaji – Vend Kujtese dhe Kërkimi”, u përurua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur. Ajo synon të mbajë gjallë kujtesën për personat që humbën jetën apo u zhdukën gjatë regjimit komunist, si dhe të informojë brezat e rinj mbi historitë e tyre.
Nisma është ndërmarrë nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), në bashkëpunim me Arqipeshkvinë Metropolitane Shkodër–Pult.
Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm familjarë të personave të zhdukur, ish-të përndjekur politikë, përfaqësues institucionesh, studiues e pedagogë, si dhe qytetarë të Shkodrës.
Përmes materialeve informuese, hapësira e re synon të shërbejë jo vetëm si një vend kujtese, por edhe si një pikë referimi për kërkimin dhe dokumentimin e historive të personave të zhdukur gjatë periudhës së diktaturës.

