Një ditë pas protestës masive të studentëve shqiptarë në Shkup, ka reaguar ministri i Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, Igor Fillkov, i cili e cilësoi protestën si të dhunshme dhe theksoi se gjuha maqedonase është “obligim kushtetues”.
Sipas Fillkovit, askush nuk mund të kërkojë përmes protestave “shkatërrimin e kritereve dhe standardeve në gjyqësor”, ndërsa shtoi se Ministria e Drejtësisë mbetet e hapur për dialog institucional.
“Gjuha maqedonase nuk është pengesë, ajo është obliguese, vlerë kushtetuese dhe garanci për funksionimin e shtetit”, deklaroi ministri.
Ai paralajmëroi se nuk do të lejohet “devalvimi i sistemit juridik” dhe as, siç u shpreh ai, “varrosja e rolit të gjuhës maqedonase si shtyllë e shtetësisë dhe rendit institucional”.
“E drejta e protestës është demokratike, por askush nuk ka të drejtë nëpërmjet protestave të dhunshme të kërkojë shkatërrimin e kritereve dhe standardeve në gjyqësor.
Ministria e Drejtësisë mbetet e hapur për dialog të argumentuar institucional, por nuk do të lejojë devalvim të sistemit juridik, as varrosje të rolit të gjuhës maqedonase si shtyllë e shtetësisë dhe rendit institucional.
Gjuha maqedonase nuk është pengesë, ajo është obliguese, vlerë kushtetuese dhe garanci për funksionimin e shtetit”.
Për çfarë protestojnë studentët shqiptarë?
Mijëra studentë shqiptarë protestuan në Shkup duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, si dhe përdorimin e shqipes në institucionet shtetërore.
Protesta u mbajt nën moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zëri”, ndërsa marshimi nisi nga Ura e Gurit drejt Ministrisë së Drejtësisë.
Në protestë morën pjesë edhe studentë nga Shqipëria dhe Kosova, ndërsa organizatorët e cilësuan tubimin si një protestë për mbrojtjen e dinjitetit dhe të drejtave gjuhësore të shqiptarëve në RMV.
Një nga momentet simbolike të protestës ishte pankarta e një vogëlushi me mesazhin: “Mos ma përktheni të ardhmen!”, e cila u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale dhe u kthye në simbol të protestës.
Çfarë parashikon ligji?
Debati lidhet me interpretimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut.
Sipas mediave në Maqedoni, në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.
Neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.
Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të detyruara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”.
Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Por kjo kërkesë deri tani ka hasur në vesh të shurdhër sipas mediave.
Përplasja institucionale për shqipen
Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, ka insistuar vazhdimisht se provimi nuk mund të mbahet në shqip, ndërsa Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve i ka tërhequr vërejtje ministrisë për moszbatim të ligjit.
Edhe Avokati i Popullit ka kërkuar ndryshime në ligjet për Jurisprudencën, Noterinë dhe Përmbarimin, me qëllim harmonizimin e tyre me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski fillimisht deklaroi se studentëve duhet t’u mundësohet provimi në shqip, por më pas tha se ligji aktual nuk e lejon dhe se çështja mund të shqyrtohet edhe nga Komisioni i Venecias.
VLEN akuzon Ali Ahmetin dhe BDI-në
Koalicioni VLEN reagoi pas protestës duke akuzuar Ali Ahmeti dhe BDI-në për manipulim politik.
Sipas VLEN-it, problemi me provimin në gjuhën shqipe ekziston prej vitesh dhe nuk u zgjidh gjatë kohës kur BDI ishte në pushtet.
Në reagimin e koalicionit thuhet se protesta është legjitime, por po përdoret politikisht nga Ali Ahmeti, i cili sipas tyre “e hedh gurin dhe e fsheh dorën”.
VLEN deklaroi gjithashtu se qeveria po punon që jo vetëm provimi i jurisprudencës, por edhe provime të tjera profesionale të zhvillohen në gjuhën shqipe.
Zv.kryeministri: Provimet do të mbahen në shqip
Mes tensioneve politike, zëvendëskryeministri Bekim Sali deklaroi në Kuvend se kërkesat e studentëve janë dëgjuar dhe se qeveria po punon për një zgjidhje përfundimtare.
Sipas tij, provimi i jurisprudencës dhe provime të tjera të kësaj natyre do të zhvillohen në gjuhën shqipe.
“Zëri i studentëve është dëgjuar. Ekzekutivi qendror është angazhuar seriozisht për të zgjidhur këtë problem njëherë e përgjithmonë”, deklaroi Sali.

