Të rinjtë që dëshirojnë të ndjekin arsimin profesional kanë ende kohë për t’u regjistruar për vitin e ri shkollor. Procesi vijon deri më 30 shtator dhe kryhet përmes platformës e-Albania.
Në Shkodër, një prej institucioneve që ofron mundësi formimi në profesione të ndryshme është Shkolla e Mesme Profesionale “Arben Broci”. Aktualisht, në këtë shkollë janë të regjistruar mbi 430 nxënës, ndërsa interesi për disa prej profileve vijon të jetë i lartë.
Shkolla ofron pesë drejtime profesionale: Elektroteknikë, Shërbim Mjetesh Transporti, Mekanikë, Termo-Hidraulikë dhe Teknologji e Informimit dhe Komunikimit.
Sipas drejtuesit të shkollës, Lubjan Pajovi, regjistrimet për klasat e dhjeta kanë nisur më 6 korrik dhe procesi po vijon. Ndër profilet që tërheqin më shumë interes është Mekanika, një drejtim që u jep të rinjve mundësinë të marrin njohuri dhe aftësi praktike për tregun e punës.
Regjistrimet për klasat e dhjeta do të jenë të hapura deri më 30 shtator, duke u dhënë të rinjve mundësinë të zgjedhin një nga profilet që ofron arsimi profesional.

