Diskutimi lidhur me pagat e magjistratëve u rikthye këtë të diel nga kryeministri Edi Rama, i cili vendosi të sqarojë publikisht pikëpamjet e tij mbi këtë çështje.
“Po pse, për çfarë jeni ju, partia e çekanëve, për çfarë e keni atë çekiçin, për parti, për luftë politike, për të dalë dhe për të kërcënuar autoritetet kushtetuese dhe politike?”, nënvizoi kryeministri.
Rama, megjithatë, u fokusua më shumë te dy Këshillat, ai i Gjyqtarëve dhe ai i Prokurorëve, duke i identifikuar si burimin e mosmarrëveshjes aktuale. Sipas tij, këto institucione vendosën të rrisnin pagat për të gjithë sistemin dhe iu drejtuan Thesarit të Shtetit pa pritur që Kuvendi të miratonte formulën e re ligjore.
“Dy shëmbëlltyrat e anës së errët të medaljes së reformës në drejtësi, dy trupa të mbingarkuara me njerëz, paga, shpenzime, por me një produktivitet që lë shumë për të dëshiruar në aspektin e misionit që kanë si trupa qeverisëse të sistemit të drejtësisë, që është i pavarur, jo më në letër, por në realitetin faktik të Shqipërisë, ku pavarësia aq sa ka sjellë të mira, aq edhe ka sjellë sfidën e madhe të rrëshqitjes në papërgjegjshmëri, por nuk dua të hyj në këtë temë.”, shtoi kryeministri.
Kryeministri pranoi se Kuvendi ka vepruar me vonesë për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por njëherazi kritikoi institucionet për rrugën që zgjodhën. Sipas Ramës, këto institucione duhej fillimisht të kishin komunikuar me qeverinë për të gjetur një zgjidhje përpara se të vepronin.
“Sa e shëmtuar, sa vulgare është atmosfera e krijuar nga një konflikt pushtetesh dhe nga një barrikadim i atij pushteti të pavarur, kushtetues, që duhet të garantojë barazinë para ligjit për të gjithë e mbi të gjitha mbi vetveten, e mbi të gjitha përtej germës së ligjit të garantojë një shembull. Kështu kërkohet e drejta? Me dhunë, me arbitraritet, pa shterruar asnjë nga hapat e tjerë, po ku jemi ne këtu?”, tha Rama.
Megjithatë, Rama theksoi se situata do të marrë zgjidhje dhe vendimi i Kushtetueses do të respektohet. Ai siguroi se: “Ka një vendim që ne nuk na shkon mendja të mos e respektojmë, por ka dhe një afat, 31 korriku, që nuk u përmbush dot për shkak të procesit parlamentar dhe duam të dimë si e keni ju këtë ide. Do ta respektoj vendimin e Kushtetueses dhe do të bëj atë që është, sipas nesh, rruga për t’iu përgjigjur edhe kësaj kërkese, por kërcënime dhe pengmarrje për pushtete të tjera të pavarura, si ekzekutivi e legjislativi, askush nuk duhet të bëjë.”, është shprehur kryeministri.
Ndërkohë, Rama shoqëroi deklaratat e tij me një tabelë krahasuese mbi pagat e gjyqtarëve në rajon. Sipas të dhënave që ai publikoi, një gjyqtar i sapoemëruar në Shqipëri merr aktualisht 3,241 euro bruto në muaj, që është rreth 500 euro më tepër se homologu i tij në Greqi, duke e renditur vendin të dytë pas Rumanisë.
Por, sipas përllogaritjeve të prezantuara prej kryeministrit, nëse rritja e kërkuar zbatohet, paga mesatare e gjyqtarëve do të tejkalojë madje edhe nivelin e Greqisë, Rumanisë dhe Sllovenisë. Rama theksoi se diferenca ndaj pagës mesatare të administratës në vend do të arrinte 470%, ndërkohë që paga mesatare e gjyqtarëve do të ishte rreth 1,000 euro më e lartë se ajo e Presidentit dhe 2,200 euro në krahasim me pagën e një ministri.

